Alban Meha është zyrtarisht një futbollist i Al Nasr. Klubi i Arabisë Sauditë zyrtarizoi këtë të enjte arritjen e marrëveshjes me futbollistin kuqezi edhe pse palët në fakt kishin rënë dakord që përpara disa muajsh për realizimin e këtij transferimi. Ndryshimet megjithatë në rangjet drejtuese të klubit arab penguan kalimin e tij nga skuadra turke e Konyaspor. Meha, madje nisi dhe stërvitjen me klubin turk në pritje të Al Nasr, ku drejtuesit e rinj më në fund vendosën që të zyrtarizojnë marrëveshjen me 30-vjeçarin, që do të nisë kështu një aventurë të re në karrierën e tij. Meha pritet të ndihmojë skuadrën e tij të re për sezonin e ri, pasi vitin e kaluar Al Nasr u rendit në vendin e 8 të ligës profesioniste arabe. Meha sezonin e kaluar luajti në radhët e Konyaspor, klub me të cilin shënoi dhe 8 gola, ku finalizimi i tij në sfidën me Galatasay-n në fillim të kampionatit u shpall dhe goli më i bukur sezonal i skuadrës. 30-vjeçari ka luajtur gjithashtu dhe 7 ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë, duke shënuar dhe dy gola.