Alizoti në Berat: “PD, e vetmja shtëpi e të përndjekurve politikë”

Në vazhdën e takimeve të tij për të strukturuar në bazë departamentin që vetëm pak kohë më parë iu besua nga kryetari Basha, Tomor Alizoti, kreu i Departamentit të të Përndjekurve Politikë në PD, ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Demokratike, dega Berat.
Gjatë fjalës së tij Alizoti ka thënë se, “fatmirësisht në këtë kohë në PD është hapur një derë për ne, ish-të përndjekurit politikë, sepse ne jemi thelbi dhe palca e PD-së”.
Vetë kryetari Basha, sipas Alizotit, e ka për zemër që të përndjekurit të futen në Partinë Demokratike.
Më tej, Alizoti ka thënë se vendi është në një situatë të vështirë. “Ne ishim dikushi, jemi në një fazë shumë të vështirë, ekonomia është shumë jetike për njeriun – nga ekonomia kanë rënë perandori, jo ne – jemi në një fazë të vështirë, dhe kam parë njerëz nga shtresa jonë që vuajtja, fukarrallëku, i ka bërë që t’i jenë bashkëngjitur ish-PPSH-së. Mirëpo, ajo që them unë, pavarësisht të gjithë problemeve dhe pakënaqësive tona, e vetmja forcë e jona është Partia Demokratike”, u shpreh Alizoti.
Në fund të fjalës së tij, Tomor Alizoti u ka bërë thirrje të gjithë ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve, që të faktorizohen politikisht në PD, si e vetmja mënyrë dhe mundësi që zëri i tyre të dëgjohet.
Tomor Alizoti është një emër i njohur në diplomacinë shqiptare dhe rrjedh nga një prej familjeve më të persekutuara nga regjimi komunist.

Exit mobile version