Blair: Kontrata me qeverinë, më begatoi mua e Ramën

Në një deklaratë publike të dhënë në gjuhën angleze mbi përfundimin e kontratës së konsulencës të kompanisë së tij me qeverinë shqiptare, Toni Bler rrëfente një sekret të kësaj kontrate, i cili u fsheh për vite me radhë nga qeveria Rama. Sekreti kishte të bënte me përfitimet që Bler kishte siguruar nga kjo kontratë dhe që lobisti britanik, kishte sjellë përfitime të majme edhe për vetë Ramën.
Në deklaratën e tij të dhënë në anglisht, Toni Blair u shpreh se, “ndjehem shumë i lumtur që me kontributin tim mbërrita të begatoj veten dhe Edi Ramën”. Deklarata e hedhur në publik ka bërë që të reagojë menjëherë zyra e Ramës dhe këshilltarët e tij, të cilët i kanë kërkuar Bler që të ndryshojë kontekstin e fjalisë. Pas kësaj ndërhyrje të zyrës së Ramës ka ardhur edhe reagimi i Bler. Stafi i Bler sqaroi se ishte një gabim përkthimi dhe se fjalia “ndjehem shumë i lumtur që me kontributin tim mbërrita të begatoj veten dhe Edi Ramën” duhej të kuptohej “jam i lumtur që me ndihmën time begatova shqiptarët”.
“Siç e dini, Bler ka thënë shpesh se sa vlerë ka pasur vendi dhe populli shqiptar për të”, u shpreh këshilltari i Toni Bler gjatë një e-mail-i dërguar agjencisë së lajmeve “BIRN”. Deklarata e Bler mundohet të hedhë dritë mbi një kontratë që nuk është bërë publike asnjëherë nga qeveria shqiptare dhe as nga zyra e Bler mbi detyrimet dhe përfitimet që lindnin nga kjo kontratë.
Kontrata ka qenë një detyrim për Bler para autoriteteve britanike, ndërsa për Ramën kontrata mbetet një detyrim edhe sot, por edhe nesër kur ai të mos jetë në pushtet përpara opinionit në Shqipëri.
Të martën, në një lajmërim publik, ish-Kryeministri dhe lideri i Partisë Laburiste Bler tha se po mbyllte veprimtarinë e tij lobuese dhe këshilluese të shumëkritikuar për t’u përqendruar te puna jo fitimprurëse dhe bamirësia. “Tony Blair Associates”, u themelua më 2007 dhe arriti kulmin duke punësuar 200 persona, të cilët punonin në më tepër se 20 vende të ndryshme të botës. Puna e Bler në Shqipëri ka mbetur gjithnjë mister dhe nuk u zbulua kurrë realisht. Bashkëpunimi filloi në shtator 2013, në të njëjtin muaj që Rama mori detyrën si Kryeministër.
Pasi u takua me Bleir në Nju Jork dhe Londër, Rama bashkëdrejtoi një takim me Bler në tetor 2013, kur ai shpjegoi se ish-Kryeministri anglez do të ndihmonte qeverinë e re të qendrës së majtë në Tiranë të prioritizonte reformat dhe të kishte një ndryshim real në jetët e njerëzve.
Në një intervistë me “Top Channel TV”, Bler theksoi se ishte i vendosur të ndihmonte qeveritë që donin të bënin ndryshime reale, ndërsa u përqendrua në lidhjen e tij të veçantë me shqiptarët si rezultat i luftës në Kosovë.
“Nëse nuk je i kujdesshëm, politika mbetet vetëm në nivel fjalësh dhe vizioni. Ndaj është e rëndësishme të përmbushet ky vizion, për të përmirësuar jetët e shtetasve përmes energjisë elektrike, furnizimit me ujë, arsimit dhe shëndetit. Këto janë gjëra të rëndësishme, ndaj unë ndihmoj vendet në të gjithë botën ta bëjnë realitet këtë objektiv”, tha Bler në intervistë.
Bler foli gjithashtu rreth krijimit të njësive të veçanta të shpërndarjes në Shqipëri, ndërsa theksoi se biznesi i tij nuk do të merrte asnjë para nga qeveria shqiptare dhe se do të financohej me ndihmën e organizatave globale që punojnë në vendet në zhvillim.
Megjithatë, pas kësaj, nuk u gjet asnjë informacion nga ai apo qeveria shqiptare rreth këtyre njësive të veçanta apo projekteve konkrete të financuara.
Në gusht të këtij viti, Bler pati një vizitë private në Dhërmi për të takuar Ramën. Shumë persona besonin se në atë kohë kontrata e këshillimit vazhdonte ende. Puna këshilluese e Bler e ka bërë atë të pasur, por gjithashtu shumë jopopullor në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai rregullisht sulmohet në media, veçanërisht për punën në vende si Kazakistani.
Në vitin 2015, Bler shtoi edhe Serbinë në listën e vendeve që paguhej për të këshilluar, pavarësisht rolit të tij si nxitës i bombardimeve të Beogradit më 1999. “BIRN” ka raportuar se Bler këshilloi Kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç, dikur një kritik i madh i tij, sipas një marrëveshjeje që besohet se financohej nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Bler dhe skuadra e tij kanë bërë vizita të rregullta në Beograd më 2015, thanë burimet qeveritare serbe. “BIRN” ka kontaktuar qeverinë në Beograd rreth veprimtarisë së Bler në Serbi, por zyra e Kryeministrit tha se do të përgjigjej në ditët e ardhshme.

Afera 5 milionë euro Rama-Blair

Më nëntor të 2014, Rama udhëtoi në drejtim të Kuvajtit si një sekser i lobistit të tij, Tony Blair dhe jo për interesat e shqiptarëve. Rama ka kërkuar nga qeveria kuvajtiane 5 milionë euro për pagesën e radhës që Rama duhet të derdhte në arkën e lobistit të tij personal, Tony Blair. Burime diplomatike kuvajtiane pohuan atëherë për gazetën “RD” se, ka pasur një kërkesë zyrtare nga qeveria Rama për 5 milionë euro. “Ne, na është bërë e qartë gjatë takimeve nga zyrtarë të qeverisë se Kryeministri i Shqipërisë kërkon një ndihmë prej 5 milionë eurosh”.
I pyetur nga gazeta “RD” se ku konsistonte kjo ndihmë, diplomati kuvajtian u shpreh se, “në takimet paraprake të realizuara gjatë përgatitjes së vizitës së zotit Rama në Kuvajt është saktësuar drejtpërdrejt se kjo shumë do të adresohej për nevoja të brendshme të qeverisë dhe më konkretisht për pagesën që duhej bërë ndaj ish-Kryeministrit britanik, Tony Blair, i cili sot është një lobist pranë qeverisë shqiptare”, shprehej diplomati kuvajtian.
Informacioni i parë konfidencial erdhi nga njerëz pranë qeverisë Rama. Ata u shprehën se Tony Blair pritej të niste një fushatë të re lobimesh në qarqe të ndryshme diplomatike ndërkombëtare në ndihmë të Kryeministrit Rama në atë moment të vështirë në të cilën ai gjendej në Shqipëri, për shkak të krizës ekonomike dhe protestave të opozitës. Në këmbim të këtij shërbimi, qeveria duhej të derdhte në arkën e Tony Blair shumën prej 5 milionë eurosh.
Situata jo e mirë financiare e qeverisë bëri që Rama t’i kërkonte paratë jashtë Shqipërisë. Vizita e Ramës në Kuvajt dhe takimi me sheikët bamirës së këtij vendi ka qenë rasti më i mirë që Rama të kërkonte këtë shumë prej miliona eurosh. Vetë Rama ka pasur një histori me Kuvajtin. Gjatë kohës që ishte kryebashkiak i Tiranës, Rama i kërkoi një fond prej 5 milionë eurosh për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”. Kuvajti ia adresoi këto para për sheshin, i cili nuk u rikonstruktua sipas planit të Ramës.
6 vjet nga dita që qeveria kuvajtiane dha 5 milionë eurot e para për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”, si dhe Xhamisë së Et’hem Beut në vitin 2008, Rama mbërriti sërish në Kuvajt me një kërkesë tjetër të ngjashme, atë të marrjes së 5 milionë eurove të tjera, kësaj radhe për lobistin Tony Blair dhe jo më për Tiranën apo për shqiptarët.
Rama e ka pranuar se ka marrë fondin prej 5 milionë eurosh nga qeveria kuvajtiane për prioritetet e qeverisë socialiste, pa përcaktuar se cilat ishin ato prioritete. “Ne kemi një ndihmë shumë bujare nga qeveria e Kuvajtit, 5 milionë € në dispozicionin tonë për përmirësimin e procesit të reformave, si dhe për të na ndihmuar adresimin e drejtë të prioriteteve kyçe”, tha Rama gjatë takimeve të zhvilluara në Kuvajt edhe në prani të mediave, gjë që është pasqyruar edhe në mediat qeveritare.
Ajo çfarë Rama nuk ka thënë ka qenë se përse janë dhënë këto para. Rama ka përmendur adresimin e “prioriteteve kyçe të qeverisë” dhe prioritet kyç i qeverisë në këtë vizitë ka qenë Tony Blair dhe mbushja e arkës së tij me 5 milionë euro nga Rama.
Shqiptarëve u kushtoi shumë Tony Blair. Janë ata që paguan haraçin e shërbimit të tij ndaj Ramës. Ndonëse shuma prej 5 milionë eurosh atëherë u pagua nga qeveria e Kuvajtit, vetë Kuvajti tha se kjo ka qenë një ndihmë për Shqipërinë. Problemi qëndron tek Kryeministri i Shqipërisë, i cili e konsideron qeverinë njëlloj si një bandë mafioze, e cila kërkon para në emër të Shqipërisë, duke abuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me postin e kreut të ekzekutivit dhe më pas këto miliona euro mbahen mes tyre sikurse edhe rasti konkret. Asnjë euro nga ato që i janë marrë Kuvajtit nuk ka shkuar për shqiptarët. Të gjitha ato para shkuan në xhepat e Tony Blair. Ajo ishte një aferë tërësisht mafioze jo vetëm nga Rama, por edhe nga Tony Blair. Rama i mori këto para në emër të Shqipërisë dhe ia dha Tony Blair dhe për këtë do të mjaftonte që nga Prokuroria t’i viheshin prangat sapo të mbërrinte në Aeroportin e Rinasit. Por po kaq i përfshirë në këtë aferë është edhe Tony Blair, i cili këto para nuk i deklaron në institucionet financiare të vendit të tij, duke shmangur kështu pagimin e taksave.

Exit mobile version