Ambasadorja e SHBA-së në NATO thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor: Rrisni shpenzimet për mbrojtjen

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Julianne Smith, u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të fokusohen në aspiratat e tyre euroatlantike dhe në vlerat e shoqërive të hapura dhe demokratike.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Smith u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s nga Ballkani Perëndimor që të angazhohen më shumë për të arritur objektivin e aleancës, që secili anëtar të shpenzojë të paktën 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) në mbrojtje, veçanërisht duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ajo, po ashtu, i ka bërë thirrje Serbisë që të mos e thellojë bashkëpunimin me Rusinë dhe me Kinën, duke përsëritur paralajmërimin amerikan kundër tregtisë me kompanitë kineze, përderisa ka thënë se tani nuk është koha për forcimin e raporteve me Rusinë, teksa Moska ka nisur luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

 

“Secili vend anëtar i aleancës u pajtua, dhjetë vjet më parë, për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje. Në kohën kur aleatët e bënë këtë zotim, më 2014, tre anëtarë të aleancës e përmbushnin këtë detyrim. Deri në verë, kur të mbajmë samitin e Uashingtonit, ne presim që dy e treta e aleancës ta ketë përmbushur detyrimin. Tani, kemi një numër aleatësh në Ballkanin Perëndimor që janë pranë 2 përqindëshit.

Ata kanë punuar me zell gjatë dekadës së fundit për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje, dhe ne i përshëndesim këto përpjekje. Prandaj, jemi thellësisht mirënjohës për lëvizjen që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit nga këto shtete anëtare të NATO-s që ju sapo përmendët. Por, ne u bëjmë thirrje miqve tanë në Ballkanin Perëndimor: Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, që të angazhohen më shumë në përpjekje për të arritur objektivin prej 2 për qind para mbajtjes së samitit të NATO-s, në mesin e korrikut”, u shpreh zyrtarja e lartw, e cila sqaroi mw tej se presidenti Joe Biden po shpreson që në samit të shënohet numri më i madh i aleatëve me shpenzime prej 2 për qind, sesa që kemi pasur gjatë dekadës së kaluar. Pra, çfarëdo që mund të bëjnë miqtë tanë në Ballkanin Perendimor për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje, do të çmohej shumë” tha ajo. /REL

Exit mobile version