AMF: Rritja e çmimit të sigurimeve erdhi si pasojë e rritjes së taksave

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë në lidhje me veprimtarinë e vitit 2015. Ky raportim u shoqërua me diskutime të shumta mes drejtuesve të AMF-së, si dhe deputetëve të komisionit në lidhje me aftësinë paguese të shoqërive të sigurimit që operojnë në tregun e Jo Jetës. Sipas AMF-së, tri shoqëri kanë shfaqur paaftësi paguese dhe mungesë kapitali gjatë periudhës së gjashtëmujorit të parë të vitit 2016. Sipas drejtores së Përgjithshme ekzekutive, Enkeleda Shehi, rritja e tarifave të MTPL-së që ndodhi në fund të gushtit erdhi si pasojë e rritje së taksës kombëtare për sigurimet (nga 3% në 10%) dhe jo si pasojë e ndryshimit të nivelit të primit të sigurimit bazë (poshtë këtij niveli nuk lejohet që të shiten policat e sigurimit). AMF-ja ka shprehur pakënaqësi edhe në lidhje me raportimin e bërë nga relatori Anastas Angjeli, duke e konsideruar si të pabazuar dhe të paazhurnuar.
Kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe tha se treguesit e çdo kompanie janë përkeqësuar, ku përjashtim bën vetëm INSIG. Sipas tij gjendja e shoqërive nuk u përmirësua nga përjashtimi i pagesës së TVSH-së. Shehi nënvizoi gjithashtu edhe zgjedhjen e kompanisë audituese për shoqëritë e sigurimeve, e cila nuk është bërë me vendim Bordi, por referuar ligjit për prokurimin publik. Në datë 24 gusht të këtij viti, shoqëritë e sigurimeve rritën me 20-25% çmimet e sigurimit TPL, në mënyrë të koordinuar dhe të menjëhershme.
AFM, në deklarimin e parë zyrtar tha se kjo ishte një politikë që i takon shoqërive duke qenë se tregu është i liberalizuar, por më pas ajo me anë të një shkrese iu kërkoi atyre që t’iu riktheheshin tarifave të mëparshme. Vendim që nuk u mor në konsideratë nga shoqëritë që vazhduan të operonin me çmimet e reja. Për këtë veprim të tregut edhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetim paraprak.

Exit mobile version