Mediat e huaja: Kryeministri Rama nuk dënoi dhunimin e investitorit

Anulimi i projektit prej 450 milionë dollarësh në fushën e turizmit nga kompania “OMNIX” Albania dhe tërheqja nga çdo investim tjetër në Shqipëri, pas dhunimit që iu bë përfaqësuesit të saj në Shqipëri, ka marrë vëmendjen e mediave të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare.
Agjencia “Itellinews” me qendër në Londër shkruan se kompania nga Dubai, “OMNIX”, ka vendosur të tërheqë investimin gjigant prej 450 milionë dollarësh si pasojë e pasigurisë së përfaqësuesve të saj.
Ajo thekson se biznesmeni libanez Fadi Mitri është rrahur me një shkop bejzbolli në kryeqytetin shqiptar, më 10 shtator.
Në përshkrimin e mediave të huaja jepen detaje edhe për projektin e planifikuar në Gjirin e Lalzit: një resort turistik me 5 yje, akuapark, dyqane, bare dhe restorante.
Në pasqyrimin e agjencisë “Itellinews” thuhet se Kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar pas sulmit të investitorit të huaj dhe se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka akuzuar Ramën për heshtjen pas incidentit.

Kompania “OMNIX” ndërpret të gjitha projektet në Shqipëri

Largimin e kompanisë “OMNIX” Albania nga Shqipëria dhe tërheqjen e investimit të saj prej 450 milionë dollarësh, përfaqësuesit e biznesit vendas e të huaj e quajnë një kambanë alarmi. Ikja e saj për arsyen se përfaqësuesi i saj në Shqipëri u dhunua barbarisht, konsiderohet si dëmi më i madh që i bëhet imazhit të Shqipërisë dhe përpjekjeve për të thithur investimet e huaja.
Përfaqësues të shoqatave të turizmit thonë se një investim i tillë, prej 450 milionë eurosh do t’i mungojë Shqipërisë, në një kohë që ajo ka nevojë më shumë se kurrë për këtë gjë.
Përveç investimit të 450 milionë dollarëve, kompania “OMNIX”, me qendër në Dubai dhe me shtrirje në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, do të ndërpresë edhe projektet e tjera në Shqipëri.
Përfaqësuesi i saj Fadi Mitri, që u largua me barelë nga Shqipëria dhe nën masa të larta sigurie dhe presidenti i kompanisë, Jamal Abu Issa, janë ortakë edhe në kompaninë “OMNIX Contracting and Engineering”, e cila është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në vitin 2010 dhe ka si objekt aktiviteti punime ndërtimi, punë publike, qendra biznesi dhe rezidenca, hotele dhe godina akomodimi, rrugë, autostrada, ura dhe të gjitha llojet e ndërtimeve inxhinierike.
Kjo është një tjetër goditje e rëndë për investimet e huaja në Shqipëri dhe vjen në një kohë kur vendi ynë nuk po arrin të konkurrojë me fqinjët në këtë sektor.
Në këtë mënyrë, Shqipëria dështon për herë të dytë me investimet me standarde në turizëm, pasi pak vite më parë largoi edhe “Club Med”, kompaninë e dytë në botë në fushën e turizmit.

Të dyshuar për sulmin ndaj biznesmenit edhe ndërtues

Policia e Durrësit ka zgjeruar rrethin e të dyshuarve për rrahjen e libanezit Fadi Mitrit. Dyshohet se të implikuar në ngjarje janë 11 persona, mes tyre edhe ndërtues në fushën e turizmit.
Lista me emra konkretë është përpiluar nga grupi i hetimit në Durrës, për dhunën ndaj Fadi Mitrit biznesmenit që do të investonte 450 milionë dollarë në Gjirin e Lalzit.
Lajmi mësohet nga burime të besueshme të antikrimit në qytetin bregdetar. Identifikimi i tri personave si autorë të dyshuar dhe arrestimi i njërit prej tyre, nuk ka mbyllur hetimet, por po kërkohen të tjerë persona të përfshirë në ngjarjen e rëndë. Dyshohet se ajo është porositur dhe paguar, thanë burimet për “ABC News”.
Ndërkohë që në dy komisariate, Shijak dhe në Durrës vazhdojnë të shoqërohen persona për t’u marrë në pyetje. Janë kryesisht banorë të Sukthit dhe të Katundit të Ri.
Nga dëshmitë e tyre janë ngritur dyshime, që porositësit e rrahjes së biznesmenit mund të jenë biznesmenë të tjerë, të cilët pretendojnë pronësi toke në Gjirin e Lalzit, ashtu sikurse edhe për shkak të konkurrencës së ndërtimeve të resorteve në këtë zonë.
Disa persona pjesë e listës së të dyshuarëve sipas grupit hetimor, janë marrë në pyetje, për t’u lënë më pas të lirë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 shtator. Fadi Mitri u dhunua në rrugën e Rinasit, ndërsa po udhëtonte me familjarët e tij. Aktualisht në burg për ngjarjen është Skënder Kraja, në kërkim Landi Muharremi, Arben Merkuri. Kurse Mitri bashkë me firmën e tij u largua nga Shqipëria pasditen e së martës.

Exit mobile version