Amnisti fiskale për klientelën, jo për qytetarët e familjet e varfëra

Në shtetin shqiptar votat blihen me para në dorë, ditën e zgjedhjeve, këmbehen me vende pune disa vite para zgjedhjeve dhe blihen me rritje rrogash e falje borxhesh nga shteti gjashtë muaj para zgjedhjeve.
Brenda një dite qeveria e rilindjes deklaron se do të ketë amnisti financiare. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka kundërshtuar faljen e plotë të borxheve. Qeveria po këmbëngul që të ketë një falje të plotë për disa lloje detyrimesh dhe një falje të pjesshme për bizneset që kanë detyrime të papaguara tatimore dhe doganore, gjoba, si dhe kamatëvonesa. Kjo masë, që u konfirmua nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, parashikon faljen e detyrimeve të vjetra e të pashlyera doganore dhe tatimore të biznesit për periudhën deri në dhjetor 2010. Kurse për vitet 2011 deri më 2014 falja do të bëhet sipas një skeme që parashikon faljen e një pjese të detyrimeve apo të gjobave.
Minitri Ahmetaj tha: “Do të jetë një fshirje në traditën e fshirjes së borxheve deri më 31 dhjetor të 2010, ndërsa nga janari i 2011 deri në dhjetor 2014 do të përdorim instrumentin pak a shumë që FMN ka lejuar të përdoret në Kosovë, që është një lloj inçentivimi, paguaj principalin që të hiqen interesat dhe gjobat, por për periudhën deri më 31 dhjetor 2014, 2015, 2016 asnjë gjë nuk ndryshon. Detyrimet e vëna, interesat e kalkuluara, të gjitha do të mblidhen me ligj. Jemi duke folur për atë pjesë që kemi rënë dakord me FMN dhe shumë shpejt do ta kemi publik të shkruar. Dua të sqaroj të gjithë sipërmarrjen që do të trajtohet deri më 31 dhjetor 2010 me fshirjen dhe nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2014 me atë inçentivim. Pra, me konceptin paguaj principalin, detyrimin, që të ulet interesi dhe gjoba. Nëse nuk e paguan, automatikisht je objekt i mbledhjes me forcë”.
Ndërkohë, qytetarët janë duke u ankuar sepse amnistia fiskale nuk përfshin individët dhe familjet. Ministri tha se për borxhet individuale dhe familjare po diskutohet dhe do të bëhet e ditur se çka do të bëhet mbasi të përgatitet drafti. Megjithatë, kjo e lidhur me pjesën e detyrimeve për automjetet. Lidhur me këtë, Ahmetaj u shpreh se do të bëhej e ditur pasi drafti të ishte gati.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur që në fillim kundër paketës së plotë fiskale për biznesin, të hartuar së fundmi nga qeveria shqiptare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi tatimor është 1.4 miliardë dollarë, nga i cili rreth 350 milionë dollarë i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2011.
Pjesa tjetër, janë detyrimet e pas 1 janarit 2012. FMN ka shprehur jo pak dhe shqetësimin se procesi i faljes mund të ketë efekt negativ në rendimentin e të ardhurave tatimore e doganore. Por jemi në një vit zgjedhor dhe rilindja do të mbyllë sytë sepse iu duhen votat.
Kujtojmë lexuesit se vetëm për mospagimin e dritave gjatë qeverisjes së rilindjes dhe të LSI kanë varur veten, helmuar veten, vrarë veten apo kanë vdekur nga shqetësimi sepse nuk kanë mundur të paguajnë dritat të paktën 19 shqiptarë.

Exit mobile version