Ky është Juventus që bind edhe në Champions Leauge. Të besuarit e Massimiliano Allegrit hodhën një hap të sigurtë drejt kualifikimit në raundin e 1/8-ave falë fitores së vështirë në fushën e Olymique Lyon me rezultatin 0-1. Për të marrë fitoren e dytë në Grupin H dhe për t’u ngjitur në kuotën e 7 pikëve pas 3 ndeshjeve të para, Juventusi kishte nevojë për një super Buffon dhe për një gol spektakolar të Juan Cuadrados.
Në stadiumin “Olympique Parc” të Lyonit bardhezinjtë nuk zhvilluan një ndeshje të mirë dhe për të mbajtur Juventusin në lojë në minutën e 35-t, Buffon priti penalltinë e ekzekutuar nga Alexandre Lacazette. Gjërat u vështirësuan për kampionët e Italisë kur Lemina në fillimin e pjesës së dytë u largua nga fusha me karton të kuq, megjithatë në minutën e 76-të një supergol i Juan Cuadrados i dha 3 pikët skuadrës së Allegrit. Të njëjtën sasi pikësh, 7 sa Juventusi ka edhe Sevilla që fitoi po me rezultatin 1-0 në transfertën kroate përballë Dinamos së Zagrebit falë një goli të francezit Samir Nasri.
Grupi E, ashtu siç edhe parashikohej vazhdon të mbetet më i ekuilibruari. 2 barazime në këtë grup. Nuk prodhoi asnjë gol dueli i “BayArena” mes Leverkusenit dhe Tottenhamit, ndërkohë që përfundoi në 1-1 sfida mes Cska së Moskës dhe Monacos. Rusët kaluan të parët në avantazh me Lacina Traore, teksa për Monacon barazoi shifrat tri minuta përpara fundit portugezi Bernardo Silva.
Në Grupin F, Reali i Madridit nuk toleroi aspak pasi në “Santiago Bernabeu” kaloi me rezultatin e thellë 5-1 Legian e Varshavës. Për Los Blancos hapi serinë e golave, Gareth Bale. Autogoli i Jodlowiec dyfishoi shifrat, ndërkohë që Radoviç nga pika e bardhë shkurtoi përkohësisht avantazhin e vendasve. Por tre talentet e klubit merengues Marcos Asensio, Lucas Vazquez dhe Alvaro Morata hipotekuan suksesin 5-1 të Realit. Kishte festë edhe për Borussian e Dortmundit që fitoi një sfidë të vështirë në letër pasi mundi në “Jose Alvalade” të Lisbonës 1-2 Sportingun. Aubameyang dhe Weigl i dhanë avantazhin e dyfishtë verdhezinjve, përpara se Bruno Cesar të realizonte golin e vetëm për skuadrën portugeze.
Kryeson me pikë të plota Grupin G, Leicester City që me një gol të Mahrez mposhti 1-0 Fc Copenhagenin duke hipotekuar kualifikimin. Fitoi me përmbysje Porto që në sfidën tjetër kaloi me shifrat 1-2 belgët e Club Brugge. Vossen shënoi në pjesën e parë për vendasit, ndërkohë që meksikani Miguel Layun dhe sulmuesi i talentuar Andre Silva me finalizimet e tyre në pjesën e dytë i dhanë fitoren e parë në grup Portos.