Analiza e pagave sipas Eurostat, Shqipëria vendi më i varfër i Europës për vitin 2024

Aranit Muraçi

Shqipëria pas rritjes së pagës minimale dhe asaj mesatare ka arritur në terma nominalë të lërë pas në Europë disa vende të tjera si Ukraina, Moldavia, dhe Maqedonia e Veriut. Por në terma realë, nëse llogaritet kostoja e jetesës, vendi ynë mbetet sërish i fundit në Europë.

Analiza e fundit e Eurostat, Instituti i Europian i Statistikave, mbi pagat, i referohen pagave minimale kombëtare të çdo vendi. Paga minimale kombëtare zakonisht zbatohet për të gjithë punonjësit, ose të paktën për shumicën më të madhe të punonjësve.

Më 1 korrik 2024, 22 nga 27 vendet e BE-së kishin miratuar një pagë minimale kombëtare (përfshirë Qipron që nga 1 janari 2023). Vendet e BE-së që nuk e njohin ligjërisht pagën minimale kombëtare janë: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë ndjeshëm në vendet anëtare, dhe variojnë nga 477 Euro në Bullgari (400 në Shqipëri) në 2.571 Euro në Luksemburg.

Mes 10 vendeve kandidate dhe vendeve kandidate potenciale, 7 prej tyre kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Ukraina), ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia dhe Kosova nuk kanë miratuar ende një pagë minimale kombëtare.

SHIFRA E DITËS: Analiza e pagave sipas Eurostat, Shqipëria vendi

Figura 1: Pagat minimale, krahasimi nga korrik 2024 dhe korrik 2014 (nivelet, në euro në muaj dhe rritja mesatare vjetore, në %. Shqipëria në terma nominalë dukshëm ka lënë pas tre vende në vitin 2024)

Bazuar në nivelin e pagave minimale mujore bruto kombëtare deri më 1 korrik 2024, të shprehura në euro, vendet në fjalë të BE-së mund të klasifikohen në 3 grupe të ndryshme; (Figura 1, vendet jo anëtare të BE-së janë paraqitur veçmas).

Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1,500 Euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Irlanda, Holanda, Belgjika, Gjermania dhe Franca. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1,767 Euro  në Francë në 2,571 Euro në Luksemburg.

Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare mbi 1,000 Euro dhe nën 1,500 Euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Spanja dhe Sllovenia. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin 1,254 Euro në Slloveni dhe 1,323 Euro në Spanjë.

Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare të barabartë ose nën 1,000 Euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Qiproja, Polonia, Greqia, Portugalia, Malta, Lituania, Kroacia, Estonia, Çekia, Sllovakia, Rumania, Letonia, Hungaria dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 477 Euro në Bullgari në 1 000 Euro në Qipro.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare, për të cilat ka të dhëna, i përkasin grupit 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga 185 euro në Ukrainë në 568 euro në Turqi. Në të njëjtin grup, me 400 Euro në muaj, bën pjesë edhe Shqipëria, sipas vlerësimeve të Eurostat.

Sipas analizës, Shtetet e Bashkuara do të bien në grupin 2 të Europës (1.137 Euro në muaj).

Norma mesatare vjetore e rritjes ndërmjet korrikut 2014 dhe korrikut 2024 ishte më e larta në Rumani (+13,7%) e ndjekur nga Lituania (+12,3%), Bullgaria (+10,6%), Polonia (+9,5%) dhe Çekia (+9,3%). Normat më të ulëta të rritjes mesatare vjetore midis vendeve të BE-së u regjistruan në Francë (+2,0%), Maltë (+2,6%) dhe Luksemburg (+3,0%). Kjo për arsyet se vendet me ekonomi të zhvilluara e kanë më të ulët mundësinë e rritjes.

Paga minimale e shprehur në standardet e fuqisë blerëse

Dallimet në pagat minimale janë dukshëm më të vogla pas përshtatjes për diferencat në nivelet e çmimeve dhe fuqisë blerëse.

Figura 2 krahason pagat minimale bruto të zbatueshme deri më 1 korrik 2024, pas përshtatjes së tyre me diferencat e çmimeve midis vendeve. Kjo bëhet duke përdorur paritetet e fuqisë blerëse (PPP) për shpenzimet e konsumit final të familjeve. Siç mund të pritej, ky rregullim redukton dallimet ndërmjet vendeve. Sipas kësaj analize, pra pavarësisht rritjes së pagave, Shqipëria mbetet e fundit në Europë. Në terma PPS, vendet e BE-së me një pagë minimale kombëtare mund të klasifikohen në tre grupe, siç ishte rasti për vlerat e shprehura në euro, por me një përbërje të ndryshme (shih Figurën 2, vendet jo anëtare të BE-së tregohen veçmas).

Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1,250 PPS. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Gjermania, Holanda, Belgjika, Franca, Irlanda, Polonia, Spanja dhe Sllovenia. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1,379 PPS në Slloveni deri në 1,912 PPS në Luksemburg.

Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare midis 1,000 PPS dhe nën 1,250 PPS. Në këtë grup bëjnë pjesë: Rumania, Lituania, Greqia, Kroacia, Qiproja, Portugalia dhe Malta. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1,037 PPS në Maltë deri në 1,243 PPS në Rumani.

Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare nën 1,000 PPS. Në këtë grup bëjnë pjesë: Hungaria, Çekia, Sllovakia, Estonia, Letonia dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 799 PPS në Bullgari deri në 922 PPS në Hungari.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare, për të cilat disponohen të dhëna, i përkasin grupit 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga PPS 556 në Shqipëri deri në PPS 919 në Turqi. Edhe pse në vitin 2024 ka një pagë minimale më të lartë se Maqedonia e Veriut, apo Moldavia dhe Ukraina, sipas kësaj analize kostoja më e lartë e jetesës në Shqipëri, e bën realisht të pavleshëm një të tillë. Si ngushëllim për Shqipërinë është fakti se sipas kësaj analize Shtetet e Bashkuara (PPS 837) gjithashtu do të bien në grupin 3. E thënë ndryshe, në SHBA, pavarësisht një page shumë më të lartë minimale që marrin punonjësit se në shumë vende të tjera europiane, kostoja e jetesës është shumë e lartë çka e bën jetesën përtej Atlantikut më të vështirë se në shumicën e vendeve të Europës.

SHIFRA E DITËS: Analiza e pagave sipas Eurostat, Shqipëria vendi

Grafiku 2, që tregon pagat minimale si PPS në muaj, deri në korrik 2024 për shtetet anëtare të BE-së, vendet kandidate Turqia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara. Grafiku tregon se Shqipëria në terma realë mbetet vendi më i varfër i Europës.

Më 1 korrik 2024, paga minimale më e lartë në euro (në Luksemburg) ishte 5.4 herë se më e ulëta (në Bullgari). E shprehur në PPS, më e larta (në Luksemburg) ishte 2.4 herë më e ulët se (në Bullgari)

Të dhënat për pagat minimale kombëtare i dorëzohen Eurostatit në terma të monedhës kombëtare. Për vendet jashtë zonës euro, pagat minimale në monedha kombëtare konvertohen në euro duke aplikuar kursin e këmbimit siç është regjistruar në fund të muajit të kaluar (për shembull, kursi në fund të dhjetorit 2023 është përdorur për llogaritjen e pagave minimale në termat euro që nga 1 janari 2024).

Për të hequr efektin e diferencave në nivelet e çmimeve midis vendeve, përdoren norma të veçanta konvertimi të quajtura paritete të fuqisë blerëse (PPP). PPP-të për shpenzimet e konsumit final të familjeve në çdo vend përdoren për të konvertuar pagat minimale mujore të shprehura në euro ose monedha kombëtare në një njësi të përbashkët artificiale të quajtur standardi i fuqisë blerëse (PPS). Nëse PPP-të për periudhën e fundit të referencës nuk janë ende të disponueshme, ato zëvendësohen nga PPP-të e vitit të kaluar dhe seritë përditësohen pasi të jenë të disponueshme PPP-të më të fundit.

Vendet që nuk mbulohen nga statistikat e pagave minimale. Deri në 1 qershori 2024, nuk kishin miratuar ende një pagë minimale kombëtare vende si Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Kështu ndodh edhe me vendet e EFTA-s,  Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Paga minimale u prezantua në Qipro që nga 1 janari 2023. Në Danimarkë, Itali, Austri, Finlandë dhe Suedi, si dhe në Islandë, Norvegji dhe Zvicër, paga minimale është përcaktuar me marrëveshje kolektive për një sërë sektorësh të veçantë.

Artikulli paraprakSpartak Ngjela: Sa të jetë Berisha, PD nuk vjen kurrë në pushtet. Ai dhe dhëndri do dënohen me burg
Artikulli tjetërPse Edi Rama i doli në mbrojtje lajmit të rremë mbi Bashën?!