Anarki krimi, grabiten 210 milionë të tjera në banka

Grabitet një tjetër bankë në zemër të Tiranës. Tashmë ligjin e bëjnë bandat, ndërsa rendi dhe siguria kanë rënë. Policia është e pafat për të goditur krimin. Bandat grabisin banka, pika këmbimi valutor, kazino, surpermarkete e gjithfarë biznesesh pa patur asnjë problem nga policia.
BKT Bank që ndodhet në zonën e ish-bllokut, në rrugën “Ismail Qemali”, në Tiranë është grabitur gjatë natës së djeshme nga persona të panjohur për policinë. Grabitja ka qenë e mirorganizuar, pasi është punuar prej një jave për çarjen e murit të bankës që të çon tek kasaforta. Gjithçka është kryer nën hundën e policisë, pasi ngjarja ka ndodhur në një zonë ku forcat policore janë të shumta. Sipas burimeve, grabitësit kanë çarë murin që të çon tek kasaforta. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se, muri i bankës është çarë 50 me 30, tek dhoma e kasafortës.
Burimet e policisë bëjnë të ditur se, gërmimet e autorëve për të mbërritur tek kasaforta janë bërë prej 3 ditësh. Policia njoftoi fillimisht se nuk janë grabitur para në kasafortë, por burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se janë grabitur 210 milionë lekë. Zbulimi i parave të grabitura është bërë nga punonjësit e bankës, të cilët kanë verifikuar gjendjen në kasafortë.
“Në rrugën ‘Ismail Qemali’, tek BKT Bank, është konstatuar një çarje në murin e bankës 50 me 30, tek dhoma e kasafortës. Kasaforta duket e paprekur, por priten punonjësit e bankës për të verifikuar kasafortën dhe a ka ndodhur vjedhje apo ka mbetur në tentativë. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për gjetjen e autorëve të kësaj vepre. Grabitësit kanë tentuar të vjedhin një bankë në ish-Bllok në Tiranë, duke shpuar murin ku ndodhej kasaforta. Tentativa ka ndodhur gjatë natës në rrugën ‘Ismail Qemali’. Ata kanë arritur të krijojnë një vrimë 50 cm me 30 cm dhe paraprakisht duket se nuk kanë mundur ta prekin kasafortën me paratë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Skema e grabitjes
Vjedhja ka qenë e mirorganizuar dhe për të cilën janë dashur disa ditë për të çarë murin e dhomës ku ndodhet kasaforta. Autorët kanë depërtuar drejt dhomës së kasafortës duke hyrë nga një bodrum i pallatit pak metra prapa bankës.
Sinjali i alarmit të bankës ka rënë të premten në darkë, por kanë shkuar punonjësit e policisë private dhe nuk kanë konstatuar asgjë. Ndërsa dje në mëngjes është konstatuar vrima e hapur tek kasaforta e bankës. Autorët kanë hyrë nga një bodrum që ka qenë kazino, por tani nuk funksionon. Nga pas bankës, është një dritare që është hapur dhe janë prishur hekurat. Dyshohet se e kanë përdorur për të futur dhe nxjerrë materialet dhe lekët.
Sipas policisë, grabitësit shfrytëzuan ditët e pushimit në fundjavë, të punonjësve të bankës. Që nga e premtja në darkë, të shtunën dhe të dielën kanë pasur tre ditë kohë të punonin për shembjen e murit, çarjen e kasafortës dhe marrjen e parave. Kanë përdorur mjete të ndryshme sipas policisë, si vare, trapano apo mjete të tjera shpuese.
Kasaforta ndodhej në bankë, e padëmtuar dhe e palëvizur në momentin e parë kur ka mbërritur policia dhe ekspertët kanë bërë këqyrjen e saj dhe verifikimet. Burime nga grupi hetimor pohojnë se është vjedhur një sasi parash. Policia ka marrë në pyetje punonjësit e sigurisë, ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Hetimet e Prokurorisë
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë sekuestruar dhe pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së vendosur pranë bankës. Janë pyetur disa punonjës të bankës si rojet e policisë private, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar shumë në zbardhjen e ngjarjes. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bankës, si dhe ato të bashkisë dhe policisë, të cilat kanë qenë funksionale.
Dyshohet se kanë të qenë tri persona autorë të grabitjes së kasafortës në bankën e nivelit të dytë në zonën e ish¬-Bllokut. Ata kanë arritur të çajnë murin duke hyrë kështu në ambientet e brendshme të bankës nga ku kanë marrë rreth 210 milionë lekë. Grabitësit kanë shfrytëzuar një ambient ngjitur me bankën për të çarë murin dhe për të shkuar tek kasaforta. Në vendngjarje janë gjetur dhe mjetet e përdorura për çarjen e murit siç janë çelës papagall dhe pinca.
R.POLISI

Exit mobile version