Anët pozitive dhe negative në raportin e progresit për Kosovën

Prishtina zyrtare i pranon konstatimet në raportin e progresit për Kosovën, por nuk pajtohet me rekomandimin e thënë qartë në raport që Kosova duhet ta heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, sepse kjo e shkel marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Kosova në raport është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Por në raport është theksuar edhe progresi i bërë në zbatimin e disa çështjeve dhe reformave kyçe të lidhura me BE-në. Këtu është përmendur përmirësimi i kuadrit ligjor në Kosovë, fushat e sundimit të ligjit dhe të administratës publike.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi e pranoi raportin nga shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, tha se raporti ka gjëra pozitive dhe negative për Kosovën.

Haradinaj: Taksa nuk hiqet
“Në disa raste është pozitiv, ndërsa në raste të tjera ka kritika, si për shembull rasti i taksës. Por përgjithësisht është raport që përmban suksese dhe kritika ndaj Kosovës”, është shprehur kryeministri. Haradinaj, tha se taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk hiqet, përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Edhe ministrja Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë se raporti i progresit për Kosovën është real dhe ngecjet e theksuara tashmë institucionet e Kosovës i kanë evidentuar.

“Shumë nga rekomandimet që i gjejmë në këtë raport, ne i kemi evidentuar dhe i kemi theksuar edhe në paraqitjet tona publike. Të gjithë e dimë se duhet të vazhdojmë të fuqizojmë sundimin e ligjit dhe duhet të forcojmë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pas analizimit te rekomandimeve do të nisim menjëherë planin për realizmin e rekomandimeve”, thotë ministrja e Integrimit evropian, Dhurata Hoxha.

Thaçi: BE i ka mbyllur dyert
Në raportin e progresit, Kosova ende mbetet e fundit në procesin integrues. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar me kritika drejt Bashkimit Evropian, i cili “i ka mbyllur dyert Kosovës”.

“Po ndodhë ajo që nuk duhet te ndodhte, pasi që BE-ja i ka mbyllur dyert për Kosovën. Ne kemi zbatuar të gjitha kriteret për liberalizim. Tash e 3 vite është dhënë rekomandimi për liberalizim, ndërsa nuk ka vendim nga shtetet anëtare dhe kjo po i kushton Kosovës që të mbetet vendi padrejtësisht më i izoluar në Evropë.

Izolimi nuk është me fajin tonë, por nga paaftësia e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të marrë vendim për liberalizimin e vizave”, tha presidenti Thaçi, në një konferencë ndërkombëtare që mbahet në Prishtinë për perspektivat dhe sfidat për Ballkanin Perëndimor. E gjitha kjo, sipas tij, rezulton me mundësinë që Kosova të shënojë regres.

“Ende pesë vendet e Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërsa aspirata jonë është që sa më shpejtë të jemi pjesë e familjes evropiane. Ne ende nuk kemi arritur marrëveshjen përfundimtare të paqes, e cila mund të sjellë njohje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ende nuk jemi anëtarësuar në OKB, ku kemi një veto të palëvizshme nga Rusia, pra jemi në një gjendje në një “status quo” që për mua paraqet rrezik për regres dhe mundësi për vazhdimin e konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Thaçi.

Koordinatori për reforma
Qeveria e Kosovës, tash e dy vjet ka emëruar një koordinator nacional për reformat, që janë kërkesa të vazhdueshme të BE-së për integrimin e Kosovës me strukturat e BE-së.

Besnik Tahiri, koordinatori i qeverisë, tha se “raporti vlerëson progresin, reformën në Administratën Publike, në miratimin e Pakos së Ligjeve të Reformës, duke u konsideruar hap i rëndësishëm drejt krijimit të një shërbimi civil modern, profesional dhe përmirësimit të llogaridhënies”.

“Raporti për Kosovën pasqyron progresin në disa fusha kyçe që përvitshëm reflektoheshin si probleme. Megjithatë disa nga shqetësimet dhe problemet e identifikuara në raport janë veçse në proces të adresimit, siç është numri i madh i kabinetit, përmes Ligjit për Qeverinë, apo edhe mekanizmat që pamundësojnë ndërhyrjet politike në punësimet në administratë përmes akteve nën-ligjore të Ligjeve të Reformës së Administratës Publike”, tha koordinatori nacional për reformat në qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Exit mobile version