Bolton: SHBA kanë ndihmuar të frenohet Irani

Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit Donald Trump, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar që të pengohet Irani të ndërmarrë veprime agresioni, por paralajmëroi se kërcënimi iranian ende ekziston.

“Nuk mendoj se ky kërcënim ka marrë fund, por mendoj se të paktën mund të thuhet se kundërpërgjigja e shpejtë dhe ndërmarrja e hapave të tjerë prej nesh shërbejnë si frenim”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton përpara gazetarëve në Londër.

Presidenti Trump njoftoi të premten e kaluar se do të dërgojë 1.500 trupa të tjera në Lindjen e Mesme, pak ditë përpara se zoti Bolton të njoftonte se një aeroplanmbajtëse dhe një bombardues u dërguan në rajonin e Gjirit Persik. Zoti Bolton tha se këto hapa ishin kundërpërgjigje ndaj “shenjave të qarta të kërcënimeve iraniane ndaj forcave amerikane në rajon”.

Zoti Bolton, një zyrtar i linjës së ashpër që bën presion për forcë ushtarake kundër Iranit, tha gjithashtu se ai nuk kërkon një “politikë për ndryshimin e regjimit në Iran”. Deklarata erdhi në përgjigje të pyetjes nëse ai dhe Presidenti Trump kishin mendim të njëjtë për këtë çështje.

Njoftimet e fundit të medias thonë se Presidenti Trump është i pakënaqur me zotin Bolton rreth mënyrave për të kufizuar ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme. Gjatë vizitës së fundit në Japoni, zoti Trump tha se ai nuk kërkonte një ndryshim regjimi. Këtë javë, zoti Trump i tha me shaka gazetës New York Times, se “ne do të ishim zhytur në katër luftëra deri tani” nëse Boltoni do të vendoste për politikën e jashtme të SHBA.

Të enjten, Presidenti e distancoi më tej veten nga zoti Bolton, duke u thënë gazetarëve se do të ishte i gatshëm të negocionte me Iranin për një marrëveshje bërthamore. Ai tha se Irani dëshiron të bëjë marrëveshje pas shndërrimit “në një vend të të dobësuar” për shkak të sanksioneve të SHBA.

Por udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei tha se nuk do të negociojë për çështjet që lidhen me aftësitë ushtarake të vendit të tij. Ai shtoi se ligji i Sheriatit dhe jo sanksionet e Shteteve të Bashkuara, është arsyeja se pse Irani nuk përpiqet të zotërojë armë bërthamore.

Tensionet midis dy vendeve janë përshkallëzuar më tej këtë muaj, të ushqyer nga dyshimet e SHBA për veprimtarinë ushtarake iraniane. Pa dhënë prova, zoti Bolton deklaroi të mërkurën se ishin minat detare “pothuajse me siguri të Iranit” që shkaktuan shpërthime kohët e fundit në katër depozita nafte në Gjirin Persik.

Shumë kritikë të Presidentit Trump ia hedhin fajin për shtimin e tensioneve, tërheqjen e administratës së tij nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Ata fajësojnë gjithashtu faktin që Presidenti Trump kategorizoi si grup terrorist një pjesë të ushtrisë iraniane si dhe rivendosjen e sanksioneve të rrepta ndaj Republikës Islamike.

Exit mobile version