Anglia shkon në gjysmëfinale

Pas Spanjës, Anglia është skuadra e dytë gjysmëfinaliste e Europianit të 21-vjeçarëve që po zhvillohet aktualisht në Poloni. Në Kielce Tre Luanët, kaluan lehtësisht me rezultatin 3-0, Poloninë vendase duke e eliminuar nga kompeticioni vendin organizator. Gray në pjesën e parë, por edhe Murphy e Baker me penallti në pjesën e dytë ishin autorët e golave për Anglinë që falë këtij suksesi e mbylli Grupin A në vendin e parë në kuotën e 7 pikëve. 6 minuta i mjaftuan Anglisë për të zhbllokuar shifrat dhe ishte talenti i Leicester City-t, Gray ai që mposhti portierin e Polonisë Wrabel. Anglia krijoi shumë raste, deri në minutën e 70-të të sfidës kur vuri në kasafortë fitoren me golin e 2-0 që u realizua nga Murphy.
10 minuta më pas formacioni i trajnerit Boothroyd thelloi shifrat me golin e tretë që mban firmën e Baker. Në ndeshjen tjetër të grupit me të njëjtin rezultat Sllovakia mposhti Suedinë kampione në fuqi të kompeticionit, me 21-vjeçarët nordikë që i dhanë lamtumirën përpara kohe kampionatit europian. Sllovakia e mbylli grupin në vendin e dytë në kuotën e 6 pikëve dhe me një goleavarazh +3, ka shanse të mëdha për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale si skuadra e dytë më e mirë e të tria grupeve. Chrien e Mihalik në pjesën e parë dhe Satka në të dytën vulosën fitoren e Sllovakisë përballë një Suedie të pafuqishme, që hapi krahun pas vetëm 22 minutash lojë.

Exit mobile version