Zinedine Zidane i ka telefonuar Kylian Mbappe për ta bindur që të pranojë ofertën e Realit të Madridit. Lajmi bëhet i ditur nga “L’Equipe”, e cila flet për një bashkëbisedim gjatë javës së kaluar dhe ky si argument kryesor ka qenë tema e minutave që Zizu mund t’i garantojë sulmuesit të Monakos te Reali i Madridit. Kjo është një çështje me rëndësi të madhe pasi Mbappe druhet se duke shkuar në një skuadër të madhe mund të mos ketë të njëjtin aktivizim që i garanton Monako, kjo pasi viti i ardhshëm është vendimtar për karrierën e tij edhe për faktin se verën e ardhshme është Botërori. Për t’i provuar talentit të ri se sa shumë e duan te Reali janë gati të sakrifikojnë edhe një ndër futbollistët e treshes së famshme BBC. Përveç Ronaldos, të cilin në Madrid dëshirojnë që ta bindin për të qëndruar dhe Benzema që konsiderohet i pashitshëm, te Reali po forcohet gjithnjë e më tepër ideja për të shitur Gareth Bale te Manchester United.
Në telefonatën e tij me Mbappe, Zidane ka tentuar ta bindë se Reali është një klub i aftë për ta kthyer atë në yllin e futbollit në vitet e ardhshme, një tentativë që ka provuar ta bëjë edhe Arsenali që në ditët e para të qershorit i kishte prezantuar Monakos një ofertë prej 100 milionë eurosh.
Mbappe është i lidhur me kontratë me Monako deri më 2019, por në klubin e Principatës e dinë se vendimi për të ardhmen i përket vetë 18-vjeçarit, që do të ndihmohet për ta marrë atë edhe nga familja e tij. Para se të ndryshojë ambient Mbappe do të kuptojë se çfarë projekti teknik e pret, pasi dëshiron të ketë një rol thelbësor në idetë e klubit dhe trajnerit të ardhshëm. Hapja e Realit ndaj idesë për të shituar Bale duket se e ka entuziazmuar sulmuesin e ri, shërbimet e të cilit kërkohen nga disa klube, përfshirë këtu dhe PSG. Reali ende nuk ka bërë asnjë ofertë zyrtare, por sipas “L’Equipe” është zgjedhja e parë e Mbappe nëse Los Blancos do të paguajnë shumën e duhur për të.
Kilian Mbappe me shumë mundësi këtë verë do të hyjë në histori duke thyer rekordin e transferimeve që vendosi një vit më parë Pol Pogba. Ky duket se është edhe qëllimi i klubit të Monakos, i cili vazhdon të refuzojë ofertat për sulmuesin e talentuar francez. Sipas mediave spanjolle, Monako ka refuzuar dje një tjetër ofertë zyrtare nga Liverpuli, i cili kishte ofruar shifrën e 100 milionë eurove. Një shumë e tillë për një 18-vjeçar, sigurisht që do të pranohej nga çdo skuadër tjetër në botë.
Por te Monako duket se kanë sigurinë se kjo shifër do të paguhet në të ardhmen edhe nga Real Madrid, i cili është ekipi i preferuar i Mbappe, ndaj nuk do të tundohen për sa kohë që dikush nuk ofron 114 milionë euro, vlerën “dysheme” që kanë vendosur për fillimin e negociatave.