Kryetari i PD, Basha deklaroi dje se opozita do të bëjë gjithçka që të dëgjohet zëri qytetar dhe ligji i mbetjeve të anulohet. Basha tha se opozita do të mbështesë protestat e qytetarëve kundër importit të plehrave. Ai i bëri thirrje Presidentit Nishani që të mos dekretojë Ligjin e Mbetjeve dhe paralajmëroi se PD po shqyrton mundësinë për t’i kërkuar Parlamentit miratimin e një referendumi për ndalimin e importit të plehrave.
“I kërkojmë Presidentit të Republikës mosdekretimin e projektligjit dhe kthimin e tij në Kuvend. Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë në Kuvend. Ne po shqyrtojmë edhe ushtrimin e të drejtës parlamentare për t’i kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e Kuvendit”, tha Basha.
Ligji i plehrave nuk vjen për të ringjallur industrinë e falimentuar të riciklimit, por për interesa mafioze të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe mafies ndërkombëtare të plehrave. Kryetari i opozitës ka ngritur si shqetësues kontrollin e plotë që ka krimi i organizuar mbi Portin e Durrësit që është edhe Porti ku do të lejohet importi i plehrave.
“Kryeministri mburret se do ta kalojë vetëm nga Porti i Durrësit, po a nuk është Porti i Durrësit ku kaloi makina e Emiljano Shullazit e blinduar dhe me armë dhe askush nuk ngriti gishtin? A nuk është Porti i Durrësit nga nisen tonelatat e drogës për në BE?! Në kushtet e sotme, kur qeveria ia ka dorëzuar kontrollin e territorit mafias së drogës dhe kriminelëve me të cilët bashkëqeveris, me kushtet ku ndërtohen pista avionësh, aerodromë droge, është akoma më emergjente ndalimi i këtij ligji”, tha Basha.