Lulzim BASHA
Sot Kryeministri i quajti qytetarët që kundërshtojnë ligjin për importin e mbetjeve sharlatanë, ndërsa ricikluesit heronj. Tri vite më parë kur i duhej të vinte në pushtet heronjtë ishin qytetarët, protestuesit që u ngritën kundër Ligjit “Për importin e mbetjeve” dhe këta qytetarë e sollën në pushtet.
Sot që është në pushtet, qëllimi i tij është pasurimi me çdo kusht. Ndaj qytetarët që ishin heronj janë bërë të bezdisshëm. Tani që është në pushtet të mençur, të ditur, me integritet për Edi Ramën janë vetëm klientët e tij, janë të fortët, janë kriminelët që i sjellin para dhe vota.
Të mençur për të janë kriminelët që i ka bërë deputetë, i ka bërë kryetar bashkie, biznesmenët me katër klasë shkollë, të cilëve po iu fal të gjithë Shqipërinë, kriminelët që i ka dekretuar të grabisin dhe rrëmbejnë gjithçka në pasuritë publike.
Pyetja që duhet të shtrojë çdo shqiptar është: Pse ndodhi ky ndryshim në tri vite?! Pse para tre vitesh qytetarët që kundërshtuan importin e mbetjeve ishin heronj dhe pse sot janë sharlatanë?! Përgjigjet kanë filluar të dalin në pah.
“Open Data Albania” sapo ka publikuar një tender, një koncesion në Fier për djegien e mbeturinave, i cili është hapur zyrtarisht në faqen e Prokurimit Publik akoma pa u futur në fuqi ligji.
Është maja e ajsbergut të një korrupsioni kriminal dhe mafioz që është arsyeja e vetme pse Edi Rama tri vite më parë bëri të anulohej referendumi duke anuluar ligjin për mbetjet dhe sot është avokati numër një i ligjit për mbetjet, të cilin e kaloi në mënyrë të pabesë të enjten e kaluar.
Qëndrimi i PD është i qartë: Ne jemi kundër çdo lloj importimi të mbetjeve.
Së pari, sepse ka një vullnet të qartë popullor kundër importit. Politika, qeverisja e ushtrojnë vullnetin në emër të qytetarëve ndaj duhet t’i nënshtrohen vullnetit të popullit. Çështja e plehrave nuk është më në vullnetin e qeverisë, nuk ka qenë që prej momentin kur u mblodhën 64 mijë firma nga ata që dje Edi Rama i quante heronj dhe sot i quan sharlatanë. Çështja e plehrave është një çështje për të cilën nuk mund të vendosë më qeveria, por duhet të vendosë populli. Asnjë justifikim, asnjë argument dhe asnjë arsye nuk mund të ushtrohet në shpërfillje apo në kundërshtim të këtij vullneti.
Të gjitha kushtet politike, ekonomike, sistemit të drejtësisë në Shqipëri bëjnë që importi të jetë i rrezikshëm dhe lehtësisht të futet në dorë të kriminelëve dhe mafies ndërkombëtare të plehrave. Kjo është arsyeja e dytë.
Sot në Shqipëri ka një mungesë totale të rendit publik dhe të kontrollit nga qeveria. Sot në Shqipëri ka korrupsion, kapje dhe kriminalizim të qeverisjes qendrore, qeverisjes lokale. Sot në Shqipëri qeveria nuk garanton dot as cilësinë e produkteve ushqimore që importon. Ndërkohë nga ana tjetër në shumë vende, fqinje dhe të huaja, kanë një situatë emergjente në lidhje me mbetjet e rrezikshme dhe të parrezikshme dhe ka interesa të mëdha për të larguar mbetjet nga këto vende drejt vendeve të tjera.
Kjo do të thotë që me miratimin e këtij ligji Shqipëria është kthyer drejtpërdrejt në shënjestër të të gjithëve për të sjellë plehra këtu, mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme, përfshi këtu shënjestrën e grupeve kriminale ndërkombëtare, asaj që njihet si mafia ndërkombëtare e plehrave.
Ndaj rruga e vetme për t’i prerë rrugën një katastrofe kombëtare është ndalimi i importit të mbetjeve. Në këtë kuadër ne do të bëjmë gjithçka në aleanca me qytetarët që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë.
Do të hedhim hapat tonë duke kërkuar:
• Presidentit të Republikës mosdekretimin e këtij projektligji dhe kthimin e tij në Kuvend.
• Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë në Kuvend.
• Do të shikojmë të gjithë hapësirën kushtetuese dhe rolin që deputetët tanë mund të luajnë brenda kësaj hapësire kushtetuese, për t’i dhënë qytetarëve një mundësi për t’u shprehur. Sepse zëri i qytetarëve në këtë çështje duhet dhe do të dëgjohet. Ndaj për këtë qëllim ne po studiojmë edhe ushtrimin e të drejtës tonë, të drejtës parlamentare për t’i kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e Kuvendit.
Duhet të bëj një sqarim të rëndësishëm. Bashkimi Europian vendos standardet e menaxhimit të plehrave dhe mbetjeve brenda vendit, por Bashkimi Europian nuk vendos kushtet apo detyrimet që një vend duhet patjetër të marrë plehra nga një vend tjetër. Kjo është një gënjeshtër e pastër që Edi Rama iu bën qytetarëve shqiptarë.
Ndaj ligjet, vendimet e miratuara në fshehtësi dhe në pabesi bëhen vetëm për interesa korruptive, për interesa kriminale. Kjo është arsyeja e miratimit të këtij ligji në shkelje të plotë dhe flagrante të qëndrimit të Edi Ramës para se të vinte në pushtet, në shkelje të plotë të qëndrimit të tij me anulimin e Ligjit “Për importin e mbetjeve” pas ardhjes në pushtet, në përpjekjen e tij për të asgjësuar vullnetin e qytetarëve, të cilët kishin dhe kanë të drejtën e tyre të shprehen për këtë çështje.
Edhe një herë e përsëris qëndrimi ynë është i qartë dhe i prerë dhe asnjë sharlatanizëm i tipit që vetë Edi Rama bëri sot nuk do t’i hedhë hi syve qytetarëve.
Dua të them se nuk kemi gjë me ricikluesit shqiptarë. E dimë që ricikluesve shqiptarë ju është rënë në qafë padrejtësisht dhe u çuan në zgrip të falimentimit, disa prej tyre falimentuan. Por dua t’u them se ligji sot nuk po vjen për ju. Nuk vjen as për të ringjallur industrinë e falimentuar të riciklimit, as për të krijuar vende pune. Vjen për interesa mafioze të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe mafies ndërkombëtare të plehrave. Dhe kjo meriton ndaljen me çdo kusht, me çdo çmim të këtij ligji dhe efekteve shkatërruese dhe helmuese që kanë për Shqipërinë, për shqiptarët, për çdo qytetar shqiptar, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë.