“Apostulli” promovohet në New York, Ilir Ikonomi: Është kënaqësi të shkruash për njerëz që realisht lexojnë

“Apostulli” i Ilir Ikonomit, botuar nga shtëpia botuese UET Press, ka udhëtaur drejt Amerikës dhe është pritur në qytetin që nuk fle kurrë.

Gjatë një promovimi të biografisë së Fan Nolit, në Producer’s Club të New York-ut, autori është njohur me mendimet e lexuesëve dhe përshtypjet e tyre për vëllimin e parë biografik, ndërsa ka marrë edhe sugjerime, që për studiuesin Ikonomi janë mjaft të drejta.

Në një postim në Instagram, ai shkruan se ishte një takim i paharruar me lexues të përkushtuar, në këtë atmosferë Krishtlindjesh.

Postimi i plotë

Ndihem i nderuar për pritjen dhe kritikat që iu bënë të shtunën librit “Apostulli” gjatë promovimit në Producer’s Club të New Yorkut.

Në këto raste, axhenda ime e fshehtë është që, përtej qokave dhe lavdërimeve të tepruara – të cilat janë të pashmangshme – të mësoj se çfarë realisht mendojnë njerëzit për librin dhe cilat gjëra duhet të përmirësoj në vëllimin e dytë.

Fatmirësisht, një pjesë e atyre që ishin në sallë e kishin lexuar librin, madje kishin mbajtur shënime dhe ky ishte një plus i madh.

Mësova, për shembull, se “Apostulli” lexohet lehtë dhe kjo më gëzoi, sepse ka qenë gjithmonë një merak i imi. Lexuesve u kishte pëlqyer mënyra se si historia e komplikuar e Shqipërisë dhe e Fan Nolit është paraqitur në mënyrë të thjeshtë e të qartë, pa komplikime artificiale.

Nga ana tjetër, ata do të donin që libri të ishte i fortifikuar më mirë me një tregues emrash gjeografikë dhe një bibliografi.

Shumë e drejtë.

Sa kënaqësi është të shkruash për njerëz që realisht lexojnë dhe kanë dëshirë të mësojnë. Ishte një gëzim i madh që u takova me secilin prej tyre dhe mësova prej tyre.

Për mua ishte një takim i paharruar në zemër të qytetit që kurrë nuk fle dhe në atmosferën magjike të Krishtlindjeve!

Exit mobile version