Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka kthyer në SPAK dosjen “Buka”, ku ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se GJKKO i ka dhënë 3 muaj afat Prokurorisë së Posaçme për të plotësuar hetimet lidhur me këtë çështje.
Për dosjen “Buka” është vendosur nën hetim ish-ministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, ku akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, me dëm ekonomik rreth 7 miliardë lekë. Ditën e sotme ishte seanca paraprake, ku pritej kalimi i dosjes për gjykim nga GJKKO.
Prokurori i çështjen Elvin Gokaj ka afat deri në datë 10 mars 2025 për të plotësuar hetimet e munguara.
Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK se ka shpërdorur detyrën duke favorizuar privatizimin nga biznesmeni Lirim Fezollari të shoqërisë “Buka sha”, ku tashmë ndodhet kompleksi ‘Emerald’ tek rruga “5 Maji” në Tiranë, në zonën e “Medresesë”.
Familja Myderizi ngriti padi ndaj ish-zv.kryeministri për shpërdorim detyre për privatizimin e shoqërisë Dosja “Buka” sh.a.
Ahmetaj akuzohet se ka shkaktuar dëm 7 miliardë lekë për familjen Myderizi, e cila ka fituar proceset gjyqësore. Sipas akuzës, Ahmetaj në cilësinë e ish-ministrit të Financave ka vendosur privatizimin dhe në pronën e familjes Myderizi është ngritur një kompleks pallatesh.
Ndaj Arben Ahmetajt ka një urdhër-arresti ndërkombëtar me masë dhënë në mungesë “Arrest në burg” për veprat penale: “Korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.