Dita e të Drejtave të Njeriut 2024, të drejtat tona, e ardhmja jonë, tani!

NGA SILVIO GONZATO & FIONA MCCLUNEY 

Në këtë Ditë të të Drejtave të Njeriut, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Shqipëri rikonfirmojnë se të drejtat e njeriut janë thelbësore për fuqizimin e individëve dhe komuniteteve dhe për t’i aftësuar ata që të krijojnë një të nesërme më të mirë.

Të drejtat dhe vlerat janë çështje kritike si në negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, ashtu edhe në përpjekjet e saj për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Angazhimet që ka marrë Shqipëria në kontekstin e negociatave të anëtarësimit – Grup-kapitulli i Themeloreve – si dhe pesë premtimet për të drejtat e njeriut që Shqipëria bëri me rastin e 75-vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhjetorin e kaluar janë shtysat për reformat themelore, që do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Ato premtojnë përmirësime në sistemin e drejtësisë penale, përmirësim të standardeve dhe shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, rritje të përpjekjeve dhe rezultateve në luftën kundër korrupsionit, standarde më të larta në sistemin e drejtësisë për të miturit, si dhe përparim në fuqizimin e grave dhe personave të tjerë që vuajnë nga diskriminimi.

Të drejtat e njeriut nuk janë thjesht aspirata; ato janë themeli mbi të cilin ne ndërtojmë një botë më të mirë, më paqësore dhe të drejtë për të gjithë. Në Shqipëri, si në çdo cep të globit, mbrojtje e të drejtave të njeriut do të thotë fuqizim i individëve, aktorëve të shoqërisë civile dhe komuniteteve për t’i ndihmuar ata të krijojnë një të ardhme më të ndritur. Siç na kujton Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres: “Të drejtat e njeriut janë themeli për shoqëritë paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”.

Ndërsa ndalemi për të festuar Ditën e të Drejtave të Njeriut, nuk duhet thjesht të reflektojmë dhe të festojmë përparimin e bërë së bashku, por edhe të përballemi me punën që kemi ende përpara. Është koha për të ngritur zërin kundër gjuhës së urrejtjes, kundër diskriminimit të çdo lloji, kundër dezinformimit dhe kundër çdo veprimi që kërcënon dinjitetin e individit.

Është koha për të shfrytëzuar fuqinë transformuese të parimeve të të drejtave të njeriut për të mbrojtur të pambrojturit, për të parandaluar padrejtësinë, për të mbështetur punën vendimtare të mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe për të krijuar ndryshime të qëndrueshme në shoqëri. Të drejtat tona, e ardhmja jonë, tani!

* Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri

** Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri

Exit mobile version