Skënderbeu dhe Shkëndija, dy skuadrat shqiptare të mbetura në arenën ndërkombëtare, njohin arbitrat për sfidat e turit të tretë kualifikues të Europa League. Duelin e kësaj të enjteje të Skënderbeut në fushën e Mlada Boleslav do ta drejtojë gjyqtari maltez Alan Mario Sant. Bëhet fjalë për një arbitër të ri në moshë, por që ka mjaft eksperiencë ndërkombëtare, pasi mban stemën e FIFA-s prej 7 vitesh. 36-vjeçari njihet si një prej më të mirëve në Maltë, ndërsa është një gjyqtar që lejon edhe luftën e fortë sportive në fushë, duke dhënë mesatarisht vetëm 3 kartonë të verdhë për ndeshje në duelet ndërkombëtare. Ai arrin t’i menaxhojë mjaft mirë situatat në fushë, edhe prej profesionit si menaxher i burimeve njerëzore në vendlindje.
Alan Mario Sant nuk ka asnjë precedent me ekipet shqiptare, ndërsa në një rast që ka drejtuar Mlada Boleslav i ka sjellë fat ekipit çek. Kjo ka ndodhur në turin e dytë kualifikues të Europa League në sezonin 2014-2015, me Mladan që fitoi 4-0 në fushën e boshnjakëve të Siroki Brijeg. Për sfidën e kësaj të enjte, në orën 18:00 asistentë të Sant në stadiumin “Mestsky” do të jenë Roberto Vella dhe Luke Portelli, ndërsa arbitër i katërt Malcolm Spiteri, të gjithë nga Malta.
Ndërkohë, ndeshja e Shkëndijës përballë Trakait në Lituani do të arbitrohet nga irlandezi Neil Doyle. Një emër i njohur për shqiptarët, edhe sepse më 10 korrik 2014 ai drejtoi sfidën e turit të parë kualifikues të Europa League, ku Kukësi barazoi 0-0 ndaj Kairat Almaty. Më 12 tetor 2012 Doyle ka drejtuar edhe ndeshjen kualifikuese ndërmjet përfaqësueses së 19-vjeçarëve të Italisë dhe Shqipërisë, e cila u fitua 3-0 nga të kaltërit, ndërsa mes gjashtë kartonëve të verdhë, arbitri irlandez largoi me karton të kuq nga fusha edhe një futbollist shqiptar.
Katërshja e gjyqtarëve është e gjitha nga Irlanda, me Neil Doyle që në sfidën në Vilnius në orën 18:30 do të ketë si asistentë Emmet Dynan dhe Dermot Broughton, ndërsa gjyqtar i katërt është Rob Harvey.