Shkëndija ka nisur përgatitjet për ndeshjen e raundit të tretë të Europa League ndaj lituanezëve të Trakait. Pas eliminimit të JHK Helsinki dhe kthimit në Tetovë, futbollistët kuqezi nën drejtimin e trajnerit Qatip Osmani po përgatiten për të synuar kalimin për në raundin e play off përballë një kundërshtari që mund të konsiderohet si një surprizë e këtij turneu deri në këto momente, duke qenë se në raundet paraardhëse ka mundur të eliminojë një skuadër skoceze dhe një suedeze.
Atmosfera në kampin e Shkëndijës ka qenë shumë pozitive dhe tetovarët do të stërvitjen në qytetin e tyre deri në nisjen e ekipit për në Lituani në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Stafi teknik është bazuar kryesisht në stërvitjet me një ngarkesë të lehtë fizike e lojën me top, ndërsa me skemat pritet të punohet në stërvitjen që do të zhvillojnë në Lituani gjatë së mërkurës pasdite. Ndeshjen e parë me Trakain, skuadra tetovare do ta luajë në transfertë të enjten në orën 18:30 me synimin për të arritur kualifikimin në fazën e play off, ku ishte e pranishme dhe vjet teksa u eliminua nga belgët e Gentit.