Arlind Ajeti, lojtar i Torinos

Arlind Ajeti firmos për Torinon. Merr fund në këtë mënyrë dilema mbi të ardhmen e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, i cili zgjodhi ta vazhdojë karrierën në Serinë A italiane, pikërisht te skuadra granata. Pasi refuzoi Pescarën, Ajeti preferoi Torinon edhe pse për të kishte interesim edhe nga Anglia, Gjermania dhe Turqia. Mëngjesin e të enjtes shtatlarti shqiptar kaloi me sukses edhe vizitat mjekësore me klubin e presidentit Urbano Cairo. Ka qenë një operacion i shpejtë ai i drejtuesve të Torinos, të cilët në vetëm pak orë kanë arritur të bindin 22-vjeçarin të pranonte ofertën e tyre.
Te Torino, Ajeti do të drejtohet nga një trajner me emër si Sinisa Mihajloviç që sezonin e kaluar ishte në stolin e Milanit, ndërsa do të ketë gjithashtu shumë përgjegjësi mbi vete pasi do t’i duhet të zëvendësojë polakun Kamil Glik, i cili pak ditë më parë u transferua zyrtarisht te Monaco. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Arlind Ajeti ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit granata për një kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi edhe 1 tjetër sezon.
Te Torino ish-lojtari i Frosinones do të përfitojë rreth 600 mijë euro në sezon. Pasi spikati me Shqipërinë në Euro 2016 duke bërë dy paraqitje fantastike ndaj Francës dhe Rumanisë, Arlind Ajeti hodhi një hap të rëndësishëm në karrierë me transferimin te Torino. Atëherë kur dukej shumë pranë Pescarës ka mjaftuar një telefonatë e drejtuesve të Torinos që Ajeti të ndërronte mendje dhe të zgjidhte skuadrën e trajnerit serb Mihajloviç për të vazhduar karrierën. Mediat italiane raportojnë gjithashtu se kuqeziu do të bashkohet me skuadrën e tij të re të dielën në fazën përgatitore.

Exit mobile version