Bekim Balaj dhe Elis Bakaj gjejnë golat e parë me skuadrat e tyre. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për ndeshje miqësore, sinjalet e sulmuesve shqiptarë janë pozitive.
Balaj debutoi edhe shënoi në fitoren 2-1 që Terek Grozni regjistroi përballë lituanezëve të Zalgiris. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi sfidën në minutën e 60-të, duke qenë vendimtar në fitoren e skuadrës ruse.
Balaj u transferua te Tereku nga RNK Split, gjatë periudhës kur ishte i grumbulluar me kombëtaren në Francë për Kampionatin Europian. Por, për një sulmues goli që shitën në Premier League-n ruse, kroatët e Splitit arritën ta zëvendësonin me një tjetër lojtar cilësor po nga Shqipëria.
Elis Bakaj konfirmoi se mund të jetë një element tejet i rëndësishëm, duke shënuar në miqësoren ku RNK Split barazoi 1-1 përballë ukrainasve të Stal-it. Bakaj u aktivizua në formacionin titullar, ndërsa qëndroi në fushë për 88 minuta, ndërsa në radhët e kroatëve u aktivizua edhe mbrojtësi Amir Rrahmani, që e nisi ndeshjen miqësore nga stoli.