Arlind Ajeti refuzon Pescaran

Arlind Ajeti refuzoi transferimin te Pescara. Skuadra ku Ledian Memushaj mban shiritin e kapitenit cilësohej në “pole” për shërbimet e mbrojtësit shqiptar, që shkëlqeu në finalet e Kampionatit Europian. Refuzimi i kuqeziut u konfirmua nga presidenti i klubit, Sebastiani. Ai deklaroi për mediat lokale se, mbrojtësi e refuzoi propozimin e paraqitur. Oferta e abrucezëve duket se nuk e ka bindur 22-vjeçarin Ajeti. Bëhet fjalë për një ofertë 4-vjeçare me rrogë që nga 350 mijë euro në sezonin e parë do të rritej deri në 500 mijë euro, plus shpërblimet.
Gjithashtu, klubi i Pescarës synonte të përfshinte në marrëveshje edhe një klauzolë me vlerë 5 milionë euro për prishjen e kontratës, si edhe avantazhin që nëse skuadra nuk arrinte të siguronte mbijetesën në Serinë A, Ajeti mund të largohej si lojtar i lirë, ashtu si ndodhi edhe te Frosinone.
Në vendimin e mbrojtësit të kombëtares, për të mos pranuar kushtet e Pescaras, duket se kanë ndikuar oferta financiare, por edhe fakti që Pescara nuk është një skuadër e madhe. Nga Seria A, interes për Ajetin kanë shfaqur edhe Bologna e Torino, ndërsa garës i janë shtuar edhe Lacio e Atalanta.
Situata e mbrojtësit mbahet nën vëzhgim edhe nga Stoke City në angli, Werder Bremen në Gjermani dhe Fenerbahçe në Turqi. Një listë e gjatë dhe me emra të rëndësishëm, nga e cila Arlind Ajeti do të bëjë zgjedhjen më të mirë për karrierën, por edhe në aspektin financiar.

Exit mobile version