E ardhmja e Edmond Kapllanit sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë të jetë në Gjermani. Me largimin nga FSV Frankfurti, klubi tek i cili luajti për 4 sezone ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare aktualisht është pa kontratë, megjithatë interesimi i klubeve gjermane nuk mungon për Kapllanin. Sipas asaj që raporton gazeta prestigjioze gjermane “Bild”, klubi më i interesuar për 33-vjeçarin shqiptar është SV Elversberg. Kjo skuadër sezonin e kaluar u mund nga Zwickau në play off duke humbur mundësinë për t’u ngjitur në Bundesligën e tretë, kështu që edhe në sezonin e ri do të luajë në kategorinë e 4-t të futbollit gjerman në zonën e jugperëndimit. Interesi i drejtuesve të Elversberg është i madh për Kapllanin dhe këta të fundit do të bëjnë gjithçka për ta bindur durrsakun të transferohet te skuadra e trajnerit Michael Weinsinger. Dëshira e Kapllanit në fakt është të jetë pjesë e Bundesligës së tretë, por 33-vjeçari kurrsesi nuk e përjashton Elversberg-un si një mundësi për të ardhmen e tij. Nuk e di sesi do të shkojë, por jam i hapur ndaj çdo oferte, deklaroi Kapllani kur u pyet mbi këtë temë. Elversberg ndërkohë sheh te Kapllani futbollistin ideal për të përforcuar repartin e avancuar në mënyrë që në sezonin e ri të arrijë objektivin, që është ngjitja në kategorinë e tretë.