Arma e fortë, grupi

Ergys Kaçe la gjurmë në miqësoren e fundit përpara Europianit, atë ndaj Ukrainës, duke zhvilluar një lojë të mirë. Mesfushori i PAOK-ut ka marrë vlerësime edhe nga mediat e huaja, sidomos pas atij supergoli të realizuar në miqësoren ndaj Francës në “Elbasan Arena” më 13 qershorin e vitit të shkuar. 23-vjeçari konfirmon se është në formën e tij optimale dhe në pritje të vendimeve të trajnerit. “Jam shumë mirë, nuk kam probleme dhe jam gati, pasi ndjehem shumë mirë fizikisht. Trajneri është ai që vendos, ne duhet të ndihmojmë skuadrën edhe kur nuk luajmë, si në fushë dhe në stol”, u shpreh Kaçe.
Europiani është një eveniment madhështor, ndaj dhe emocionet janë të mëdha ashtu si dëshira për të luajtur. 23 futbollistët e grumbulluar nga trajneri Gianni de Biasi vlojnë nga dëshira për të luajtur, por vetëm 11 do të jenë zgjedhjet titullare. Për Shqipërinë, pjesëmarrja në fazën finale të këtij kompeticioni është një lumturi e madhe, gjë që duket edhe tek futbollistët. Gjithashtu turneu i Francës shihet edhe si një vitrinë për një hap përpara në karrierën e çdo lojtari. “Jam me fat që Shqipëria hyri në Europian dhe jemi të lumtur të gjithë si grup që jemi këtu. Europiani është gjë e madhe për të gjithë jo vetëm për mua. Nuk e di nëse do jem te PAOK apo jo, por të shohim me kalimin e kohës”, tha ai.
Në grup, Shqipëria ka kundërshtarë me të cilët është ndeshur së fundmi. Me Francën vendin organizator kujtimet janë të mira, pasi në dy ndeshje janë marrë një fitore dhe një barazim. Me Zvicrën bilanci nuk është pozitiv, e njëjta gjë edhe me Rumaninë. Megjithatë Ergys Kaçe është i bindur tek forca e grupit, karakteristikë që çoi kuqezinjtë në Europian. “Të tria janë skuadra të mira, por ne kemi një ekip të mirë dhe e kemi treguar. Nëse luajmë si më parë s’do të kemi probleme. Në futboll nuk fiton gjithmonë skuadra më e madhe, por kur luan si grup je fitues”, përfundoi Kaçe.
Ndeshja kundër Francës do të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese, pasi tifozët shqiptarë kanë ideuar të shpalosin flamurin më të madh të hapur ndonjëherë. Flamuri gjigant pritet të hyjë në rekordin ‘Guinness’, pasi do të jetë 3 herë më i madh se flamuri, i cili u hap në ‘Qemal Stafa’ në vitin 2005 kundër Ukrainës. Ky flamur është më i madh se tribuna e stadiumit dhe për këtë arsye nuk do të shpaloset në stadium, por në një pikë strategjike të Marsejës, shkruan Syri.net. Përmasa e Flamurit do jetë plot 10.500 m2, 150 metra i gjatë dhe 70 metra i gjerë e cila përllogaritet se ka kushtuar rreth 15 mijë euro.
Flamuri gjigant do të hapet në qytetin e Marsejës po në ditën që Kombëtarja Shqiptare do përballet me “gjelat” e Francës, 15 qershor. Lejen për paraqitjen e tij tifozët tashmë e kanë marrë nga shteti francez, ndërsa të angazhuar në shpalosjen e flamurit do të jenë mbi 500 persona. Ideja e Rinor Sllovës nga Dibra e Madhe, ka gjetur mjaft përkrahje nga individë të ndryshëm si dhe nga tifo grupi shqiptar “Tifozat Kuq e Zi” që në mënyrë vullnetare po punojnë në realizimin e projektit.

Exit mobile version