Francë-Rumani, “Gjelat” e nisin si favorite

Në ndeshjen hapëse të Europianit, Franca si organizatore e turneut do të presë Rumaninë në orën 21:00 në “Stade de France”, në një sfidë ku “Gjelat” shkojnë si favoritë. Në fakt formacioni i Didier Deschamps është edhe një ndër favoritët për ta ngritur lart trofeun për herë të tretë në histori, për të barazuar rekordin e Spanjës dhe Gjermanisë. Vendasit synojnë të bëhen i vetmi vend organizator që triumfon në Europian që pas turneut të vitit 1984, që u fitua pikërisht nga Franca e Michel Platini, Giresse, Tigana etj. Mirëpo është fakt që në edicionet e fundit, Blutë nuk kanë mundur të shkojnë më shumë se çerekfinalet, ndërsa në 2008-ën është eliminuar që në fazën e grupeve.
Franca vjen në këtë Europian në një formë të shkëlqyer, teksa ka mundur të triumfojë në 9 nga 10 ndeshjet e fundit. Didier Deschamp ka dilema për sa i përket formacionit në fazën sulmuese. Pa Karim Benzema, i mbetur jashtë listës për shkak të çështjes Valbuena, i vetmi që duket se e ka vendin të sigurt është Antoine Griezmann, ndërsa dy sulmuesit e tjerë do të zgjidhen mes Kingsley Coman, Andre-Pierre Gignac, Olivier Giroud, Anthony Martial dhe Dimitri Payet. Pas dëmtimit të Lassana Diarra, Ngolo N’Kante mund të plotësojë treshen e mesfushës përkrah Blaise Matuidi dhe Paul Pogba, ndërsa Adil Rami besohet se do të vendoset në qendër të mbrojtjes përkrah Laurent Koscielny.
Franca konsiderohet skuadra për t’u mundur dhe ndoshta pritshmëritë janë që të arrijë një fitore të lehtë ndaj Rumanisë, por është fakt që përfaqësuesja bllkanase gjatë eliminatoreve ka pësuar vetëm dy gola në 10 ndeshje. Franca vërtet është e pamposhtur në 10 përballjet me Rumaninë, por 4 nga 5 përplasjet e fundit mes tyre kanë përfunduar në barazim. Të dyja skuadrat janë ndeshur në vetëm dy raste gjatë finaleve të Europianit, me “Gjelat, që kanë fituar 1-0 në Angli 1996, ndërsa në 2008-ën në Austri dhe Zvicër gjithçka u mbyll në barazim pa gola. Rumania nuk ka emra të mëdhenj në përbërje, por mbetet skuadra e dytë me moshë mesatare më të vogël, pikërisht 22.4 vjeç.

Exit mobile version