Armand Bora rrëfen në “Një grusht librash” historinë pas tre dramave të tij

I ftuar në “Një grusht librash”, me gazetaren Beti Njuma, fitues i Çmimit Letrar Kadare 2025, Armand Bora, ka folur për karrierën e tij mes dramës, skenës dhe teatrit.

Për triptikun “Ata që mbijetuan”, e cila u bë e para vepër në zhanrin e dramës që fiton këtë çmim prestigjioz në letërsisë në Shqipëri, autori rrëfeu se indicien e mori nga profesori i tij Piro Mani, i cili pas ëdo shfaqje i thoshte gruas së tij, aktores Pavlina Mani, që të bënte gati valixhet.

“Ai ka ndikuar fort në atë çka jam unë sot si artist në skenë. Ka hedhur bazat, jo vetëm të miat, por të shumë brezave regjisorësh, të dalë prej duarve të tij. Profesor Piro kishte një natyrë jo shumë skolastike. Nuk e dalloje dot ku mbaronte mësimi dhe ku fillonin bisedat e lira. Nocionet apo konceptet teatrore i kam mësuar në oborrin e tij”.

Tematikë e dramave të Borës është regjimi komunist dhe dhuna psikologjike që ai shkaktonte te njerëzit e thjeshtë, të zakonshëm, që nuk kishin asnjë lidhje me pushtetin. Ato përmbajnë elementë të absurdit, duke përshkruar më së miri absurditetin e atij sistemi që mbajti të mbërthyer Shqipërinë për gati gjysmë shekulli.

Përveç kritikës letrare “Labirintet e modernizmit” të Alfred Uçit, ku mori nocionet dhe teoritë kryesore të letërsisë, Bora rrëfeu se vepra tjetër që e inspiroi për teatrin e absurdit ishte ajo e Samuel Beket, “Duke pritur Godonë”.

Ndër të tjera, ai u ndal edhe te arsyeja pse vendosi t’i sjellë këto drama që rikujtojnë të kaluarën komuniste, duke shtuar se mungesa e dramës shqipe e detyroi të ulej për të shkruar.

Exit mobile version