Në gjysmën e dytë të 2014-s dhe muajt e parë të 2015-s, kompania e përpunimit të naftës doli nga letargjia ku e kishin futur një varg relativisht i dështuar privatizimesh e shitblerjesh. Ajo rinisi përpunimin e naftës direkt dhe përmes dy kompanive që morën me franshizë aktivitetin e saj, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling.
Deveron Oil Albania, e hapur në 13.11.2013, me të ardhura zero në 2013, ka parë një rritje të shpejtë të të ardhurave në 2014-n, në 10.7 miliardë lekë, duke u renditur e 21-a ndër kompanitë më të mëdha. TPD-Trading Petrol & Drilling, në shtator të 2013-s, ka nënshkruar marrëveshje me ARMO-n dhe operon në rafinerinë e Fierit në kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s. Kompania është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR dhe ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë. Ajo është radhitur e 11-a ndër kompanitë më të mëdha për nga xhiroja në tatime në vitin 2014.