Viti 2014 shënoi një shpërthim të kompanive të tregtimit të naftës në vend. Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha përfshihen 27 të tilla, që kanë realizuar një qarkullim vjetor prej 238 miliardë lekë (rreth 1.7 miliardë euro), me një rritje prej 33% me bazë vjetore, sipas të dhënave të dorëzuara te tatimet.
Këto kompani realizuan gati 25% të qarkullimit total të 200 VIP-ave, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shit-blerjes disa herë të saj).
Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm. Pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-s dhe më pas të IT Oil, operatorë të rinj, të krijuar në fund të 2013-s, kanë rritur me shpejtësi aktivitetin. Të tjerë janë në vështirësi dhe kanë “braktisur” kompaninë, duke lënë me gisht në gojë kreditorët.
RDA Petrol është një kompani e krijuar në vitin 2013, që ka arritur të ketë një xhiro prej 5.5 miliardë lekësh në 2014-n, me një rritje vjetore prej 82%. Sipërmarrja e ka qendrën në Fier. Sipas burimeve të saj, ajo tregton dhe shpërndan me shumicë naftën e importuar nga ENI AGIP, por edhe produktin vendas të Rafinerisë ARMO. Për këtë qëllim, ajo zotëron filiale të tregtimit me shumicë në Vlorë, Fier, Ballsh, Durrës e Tiranë.
Eroil, e krijuar në tetor 2013, është ngjitur me shpejtësi në 2014-n, duke shënuar një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh.
Edhe Sun Petroleum Albania Trading, distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë dhe Mal të Zi, e krijuar po në tetor 2013, ka parë një rritje të shpejtë, duke arritur një qarkullim vjetor prej 3.45 miliardë lekësh.
Tea Construction & Petrol, një nga kompanitë që shënoi rritje të shpejtë në 2013-n ka dalë nga tregu tashmë. Në 2014-n, kompania i uli të ardhurat me 5% në 8.5 miliardë lekë.
AFT, një tjetër operator i ri nafte, që u rrit me shpejtësi në 2013-n, ka parë një rënie të të ardhurave, me 34%, në 2.9 miliardë lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.
Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies.
Edhe Autoriteti i Konkurrencës e ka pohuar këtë prirje të luhatshmërisë së madhe të tregut në një hetim për tregun e karburanteve, duke kërkuar “ndërtimin e instrumenteve për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme”. Ekspertët pohojnë që duhet të rregullohet tregu, që kompanitë të mos hyjnë e dalin si të duan, por të ketë kritere të larta.
Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta. Sipas një pike të ligjit për hidrokarburet, kompanitë duhet të mbajnë rezerva 90 ditë kalendarike, çka përbën një kosto të madhe, por firmat e vogla nuk e zbatojnë këtë dhe e mbyllin vitin tjetër, kur duhet të rregullojnë rezervat.
Në total, tregu vlerësohet se xhiron deri në 1 miliard euro, por nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive. Për vitin 2014, xhiro e 26 kompanive në listën e 200 më të mëdhenjve u rrit me 33%, ndërsa importet e karburanteve për këtë vit ishin 482 mijë tonë, rreth 5% më të larta se një vit më parë.
Pavarësisht xhiros së lartë, kompanitë e naftës karakterizohen nga norma të ulëta fitimi dhe kanë një numër të vogël të punësuarish, dy elemente që janë parësore për të parë ndikimin e një kompanie në ekonominë reale të një vendi.
Kastrati dhe Europetrol Durrës Albania janë dy kompanitë më të mëdha dhe më të qëndrueshme në treg. Kastrati i rriti të ardhurat me 5% në rreth 67 miliardë lekë në 2014-s, ndërsa Europetrol Durrës Albania pa një rënie me 13% në 19 miliardë lekë.
Everest Oil SHA është një hyrje e re e dy viteve të fundit, që është ngjitur me shpejtësi në renditje. Kompania është krijuar në mesin e vitit 2012, për të arritur të ardhura prej 16 miliardë lekësh në 2013-n, duke u pozicionuar atë vit direkt në vendin e dhjetë. Në 2014-n, zgjerimi vazhdoi, ndonëse me ritme më të ulëta, duke arritur në 18.9 miliardë lekë (rritje 16%). Everest tregton me shumicë naftën nga depozitat e Petrolifera, ndërsa nuk ka një rrjet të vetin të tregtimit me pakicë. Everest Oil SHA blen karburantet nga ndërmarrja ENI s.p.a. dhe ua shet këtë karburant ndërmarrjeve të tjera të shitjes me shumicë në zonën e lirë doganore (pra i gjithë transaksioni ndodh në zonë të lirë doganore), sipas një hetimi të Autoritetit të Konkurrencës.