Nga Micheal Sheridan
Ariu dhe Dragoi nuk mund të jenë kurrë miq. Ky është një mësim që Xi Jinping e ka dëgjuar që në moshë të re. Dhe kjo shpjegon arsyen pse partneriteti i “pakufishëm” i udhëheqësit kinez me Vladimir Putinin, mund të shndërrohet në një barrë të madhe për Kremlinin.
Ndërsa hulumtoja mbi një biografi të re të Xi Jingping, hasa në një dokument befasues të shërbimeve sekrete amerikane tashmë të deklasifikuar. Ai zbulon se njeriu që ishte mentori i Xi-së në punën e tij të parë, në krye të ushtrisë së Kinës, ishte shumë anti-rus.
Mos i besoni asnjëherë Moskës, e këshillonte ai stafin e tij. Sot, në dukje gjithçka duket mirë midis dy vendeve. Dy autokratët po mburren prej më shumë se 2 vitesh me aleancën e tyre. Është e qartë se në shkurt 2022, Putini i dha “mikut” të tij informacionin e klasifikuar se ishte gati të pushtonte Ukrainën në shkallë të plotë.
Që nga ai moment, Xi ka qëndruar përkrah tij, duke folur për paqen, por duke i dërguar Rusisë teknologjinë e armëve të saj, në këmbim të naftës dhe gazit rus. Sigurisht, që të dy këta udhëheqës autoritarë duan që demokracitë të zhyten në kaos.
Ata e shohin rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga Perëndimi si arrogant, të dobët dhe gati për t’u përmbysur. Por pas fjalëve të bukura dhe lavdëruese ndaj njëri-tjetrit fshihen çarje të thella të historisë, racës dhe pushtetit. Ne e dimë karrierën e Putinin në radhët e KGB-së sovjetike.
Por pak njerëz e dinë se Xi Jinping u rrit duke mësuar të urrejë dhe të ketë frikë nga Bashkimi Sovjetik. Dokumenti në fjalë është një kabllogram i Shtëpisë së Bardhë, i cili përshkruan në detaje se si mentori i Xi, Ministri kinez i Mbrojtjes Geng Biao, u dha amerikanëve “rrëfimin më të plotë që kemi marrë deri më sot…për ndarjen kino-sovjetike”.
Në atë kohë, Xi ishte një sekretari personal i Biaos. Ajo ishte puna e tij e parë pas diplomimit në universitet, dhe e arriti falë rrjeteve familjare (babai i tij ishte një shok i vjetër i ministrit). Ishte sigurisht një post i privilegjuar, pasi kishte të bënte me korrespodenca sekrete, mbajtjen e çantës personale dhe të vepruarit si sytë dhe veshët e shefit të tij.
Xi kishte një rrogë të vogël, megjithatë fitoi qasje tek rangjet e larta të pushtet. Ai pa dhe dëgjoi gjithçka gjatë një ndryshimi radikal të strategjinë kineze ndaj Perëndimit. Ajo i hapi edhe derën rritjes së jashtëzakonshme ekonomike të Kinës, që e bëri disa dekada më vonë një fuqi të madhe botërore.
Por kjo është pikërisht ajo që nuk donin rusët. Kablloja e SHBA-së, tregon se si shefi i Xi-së vizitoi Shtëpinë e Bardhë më 28 maj 1980, takoi presidentin Jimmy Carter dhe më pas drekoi me Sekretarin e Shtetit, Edmund Muskie. Geng i shpjegoi atij se i vetmi mik i Kinës në Kremlin kishte qenë Stalini.
Pas vdekjes së tij, sovjetikët synuan të zgjeronin ndikimin mbi pjesën më të madhe të Kinës Veriore. Ata donin të vendosnin trupa në territorin kinez, të komandonin një flotë të përbashkët dhe të ndërtonin rrjete komunikim me rreze të gjatë.
Më e keqja nga të gjitha, tha Geng, rusët donin që ta mbanin Kinën si një hambar të varfër dhe të prapambetur për bllokun socialist. Ata u thoshin kinezëve se nuk kishin fare nevojë për industri, sepse Bashkimi Sovjetik do t’u jepte çdo makineri që u nevojitej.
Sipas tyre, Kina “do të kishte qenë gjithmonë një shoqëri bujqësore, dhe do të kishte mbetur përgjithmonë një vend satelit i Bashkimit Sovjetik”. Ne e dimë që dëshmia është e saktë sepse atë e ka shkruar vetë Muskie. Nuk është e tepruar të thuhet se historia e botës, do të kishte qenë ndryshe nëse kinezët do ta kishin pranuar atë këshillë “vëllazërore”.
Por ata nuk e pranuan, dhe Xi është sot trashëgimtari i fuqisë gjigante ekonomike dhe ushtarake të Kinës. Ndërsa i riu Xi merrte pjesë në takimet e ndryshme, dëgjoi eprorët e tij të rrëfenin ankesat e vjetra ndaj fqinjëve. Hartat në muret e zyrave, tregonin territoret e shkëputura nga Kina nga një traktat i shekullit XIX-të, që i dorëzoi Carit rajonet përtej lumit Dragoi i Zi.
Sot, ato janë provincat ruse të Paqësorit, së bashku me portin e rëndësishëm Vladivostok. Britanikët ia rikthyen Hong Kongun Kinës, por nuk ka asnjë shans që Putini apo ndonjë udhëheqës tjetër rus të ndryshojë atë që kinezët e quajnë ende një “traktat i pabarabartë”.
Dhe pushtimi i Putinit në Ukrainë, është një krim shumë flagrant kundër ligjit ndërkombëtar dhe e godet parimin thelbësor të sovranitetit që mbron Kina. Tek e fundit, Pekini e njeh zyrtarisht Ukrainën si komb dhe qeverinë Zelensky si sundimtarin e saj legjitim.
Ndërsa Putin jo. Kjo kontradiktë e dukshme nuk mund të zgjasë për shumë kohë. Duket se Kina ndikoi për ta penguar Putinin të përdorte armët bërthamore taktike në fillim të luftës. Ndihma e saj e “pakufishme” është rreptësisht e kufizuar nga sanksionet. Si për ironi, Rusia po bëhet një satelit ekonomik i Kinës.
Pastaj ekziston trashëgimia e ndjenjës së vjetër të dyshimit. Ministri i ri Jashtëm i zgjedhur nga Xi, Qin Gang, u shkarkua pas një skandali seksual dhe spiunazhi, bazuar tek një informacion i marrë nga Moska se ai ishte komprometuar nga CIA. Pra të gjithë po spiunojnë të gjithë të tjerët.
Por a është Xi Jinping, që u rrit duke dëgjuar se Rusia ishte një vend barbar dhe agresiv ndaj fqinjëve, gati të hedhë poshtë dekadat e zhvillimit paqësor, duke i luajtur të gjitha kartat në luftën ndaj Putinit? Unë mendoj se jo./“The Independent”