Dimal/ Tre fëmijë jetimë në rrezik për jetën! Thirrja therëse e gjyshit për ndihmë: Shtëpinë e shembi stuhia, jetojmë në rrënoja, pa ushqime e veshje!

Rreshjet e rëna ditët e fundit kanë shkatërruar banesën e 71-vjeçarit Kujtim Selamaj në fshatin Skrevan të Dimalit. Gjysh, Kujtimi së bashku me dy nipër të moshës 11-vjeçare dhe mbesën 9-vjeçe kanë mbetur pa strehë. Çatia e banesës është shembur dhe muret janë duke rënë.

Kujtimi rrëfen momentet e ankthit, kur pa se stuhia po rrëzonte tjegullat dhe arriti të nxjerrë shpejt dy nipërit dhe mbesën të cilët ishin brenda në banesë.

“Çatia po bën 3 ditë që rënë. Po binte shi dhe pashë që tjegullat ishin duke rënë nga çatia. Arritëm të dalim menjeherë bashkë me fëmijët. Nuk u dëmtuam! Shpëtuam! Këtu banojmë 4 persona, tre fëmijë dhe unë. Mbaj 3 fëmijët e djalit vetem me pensionin që është 100 mijë lek të vjetra. Jemi dobët të shumë nga ekonomia. S’kemi të ardhura, është e vështirë të jetosh. Shtëpia është e pabanueshme, dhe një shi të bie dhe shembet fare”, tha Kujtim Selamaj.
71-vjeçari po rrit i vetëm nipërit dhe mbesën, pasi i biri ka rënë në burg ndërsa mamaja e fëmijëve ka ndërruar jetë. Ai merr vetëm 10 mijë lek në muaj pension, ç’ka nuk del as për bukë. Sikur të mos mjaftonin vështirësitë, tashmë u shemb banesa. I moshuari qendron nën rrënoja bashkë me dy nipërit dhe mbesën.

“Unë kërkoj ndihmë nga shteti! Dua një çadër apo plastmas derisa të bëhet shtëpia, batanije dhe ushqime. Dua të bëhet sa më shpejt shtëpia e re dhe të ndihmojnë që të rris fëmijët, s’kemi as ushqime as veshje. Dy nipërit janë 11 vjeç dhe mbesa 9-vjeçe. Shkojnë në shkollë dhe mësojnë. Unë dua që të rriten si të tjerët. Kërkoj nga shteti që shtëpia të ndërtohet sa më shpejt! S’kemi çfarë bëjmë me plastmas do rrimë derisa të vijë shteti e të vërë dorë”, tha 71-vjeçari për Report TV.

E kontaktuar me telefon Bashkia Dimal tregoi rrugën burokratike të shkresave, ku si fillim është bërë vleresimi dhe është shpallur e pabanueshme banesa e Kujtim Selamajt, ndërsa në mbledhjen e këshillit bashkiak do merret vendimi për financimin e objektit.

Teksa bashkia Dimal vazhdon të ndjekë procedurat, Report TV i bën thirrje jo vetëm institucionit lokal por dhe Ministrisë së Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të gjejë sa më parë një strehë të sigurt për Kujtim Selamajn dhe tre të miturit që sot gjenden në rrezik; Në banesën e rrënuar, pa veshje dhe ushqime! /Shqiptarja.com

Exit mobile version