Arrestimi i Llallës po kërkohet për të shpëtuar Tahirin?

Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të lëshojë në dy ditët e ardhshme urdhër arresti për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Një burim i besuar nga prokuroria u shpreh për Exit.al se prokurorët janë prej ditësh nën presion të jashtëzakonshëm politik, përfshi kërcënimin për moskalimin e vetingut, nga qeveria dhe një përfaqësi e huaj në Tiranë për të arrestuar me çdo kusht Llallën. Presioni është bërë intensiv dy ditët e fundit me kërkesën që arrestimi duhet të bëhet para vizitës, ditën e martë, të komisionerëve europianë Mogherini dhe Hahn. Nën këtë presion, edhe pse nuk kanë prova të arsyeshme, prokurorët janë dorëzuar dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit.
Prej të paktën pesë javësh, Prokuroria e Durrësit ka zhvilluar verifikime dhe hetime në lidhje me të shkuarën e Adriatik Llallës. Këto hetime u përqëndruan fillimisht në dy drejtime: në disa shitblerje tokash dhe në një gjobë të marrë në një aeroport gjerman për mosdeklarim të një shume parash mbi limitin e detyrueshëm për deklarim gjatë udhëtimit të zhvendosjes së familjes Llalla në Gjermani, para rreth dy vjetësh.
Së fundmi, prokurorët e Durrësit kanë ricikluar edhe një akuzë të para disa viteve për transfetimin e një prokurori nga Tiranë në Shkodër, në mes të një hetimi ndaj një krimineli i cili edhe pas ndryshimit të prokurorit u dënua me 15 vjet burg.
Megjithatë, për asnjë nga këto pista hetimi nuk prokurorët nuk zbuluan dot prova të mjaftueshme që të mund të justifiknoin hetime zyrtare. Por nën presionin të vazhdueshëm politik, Prokuroria e Durrësit regjistroi para rreth tre javësh një hetim formal ndaj Llallës, për të cilin nuk është njoftuar dhe nuk është thirrur në pyetje asnjëherë vetë Adriatik Llalla, duke e bërë çdo veprim në fshehtësi të plotë.

Por këto veprime u njoftuan në publik nga ambasadori amerikan Donald Lu, i cili fillimisht u shpeh se Llalla po hetohet për korrupsion dhe në një deklaratë të dytë u shpreh se Llalla është një “zyrtar i korruptuar dhe i diskredituar” që po hetohet për “pasuri masive të pajustifikuar” dhe “pastrim parash” dhe se Llalla po kundërshtonte reformën në drejtësi se “rrezikonte të dënohej me burg”. Këtyre akuzave Llalla u është përgjigjur sot, duke i mohuar në mënyrë kategorike dhe duke akuzaur direkt Ambasadorin Amerikan për ndërhyrje në proces hetimi dhe sistemin e drejtësisë në shkelje të statusit të tij diplomatik dhe të ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare.
Por megjithatë hetimet e Durrësit për “pastrim parash” dhe “pasuri të pashpjegueshme” nuk çuan asgjëkundi, ndaj Prokororia e Durrësit i pasoi hetimet para tre ditësh tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila është përgjegjëse për hetimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Kjo përcjellje e hetimeve është në vetvete e diskutueshëm pasi në momentin e kalimit të çështjes Adriatik Llalla nuk ka asnjë funksion zyrtar.
Pavarësisht çështjes së juridiksionit, sipas një burimit të referuar në fillim të artikullit, që pas marjes së çështjes prokuroria e krimeve të rënda ka qenë nën presion dhe kërcënim të vazhdueshëm nga përfaqësues të qeverisë dhe të ambasadës amerikane për arrestimin e Adriatik Llallës.

Burimi u shpreh gjithashtu se qeveria ka urgjencë për të dhënë një provë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit para vizitës, ditën e martë, të komisionerëve europianë Mogherini dhe Hahn që do jenë në Shqipëri për të dhënë lajmin se Komisioni ka rekomanduar hapjen e negociatave. Një nga lëvdimet më të mëdha të raportit të Komisionit dhe të dy komisionerëve tyre do të jetë pikërisht suksesi i reformës në drejtësi.
Duket se urdhër arresti ndaj Llallës është i dëshirueshëm për të gjithë: Donald Lu ka nevojë jo vetëm të hakmerret ndaj një personi që i ka hapur shumë probleme, por ka nevojë të justifikojë të gjitha akuzat që ka bërë ndaj Llallës dhe informacionet që ka çuar për të në Uashington. Ndërkohë të tre, Rama, Lu dhe Vlahutin, kanë nevojë për një “peshk të madh” me qëllim që të tregojnë rezultate në reformën në drejtësi. Nesër të gjitha mediat e botës do të shkruajnë se Shqipëria po lufton korrupsionin duke arrestuar ish-Prokurorin e Përgjithshëm, çfarë do t’i japë treshes Rama-Lu-Vlahutin një armë të shkëlqyer propagandistike.
Por mbi të gjitha urdhër arresti ndaj Llallës zgjidh një problem të madh me të cilën ndeshet prej kohësh Rama por edhe Lu: arresti i Llallës dobëson për pak kohë trysninë në rritje të ndërkombëtarve për arrestimin e Saimir Tahirit si provë të serioziteti të qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Llalla brënda, mban Tahirin jashtë.

“Exit.al”

Exit mobile version