Arrestohen dy kosovarë, planifikonin sulm në Gjermani

Policia e Gjermanisë thotë se dy vëllezër, të lindur në Kosovë, janë arrestuar me dyshimin se kanë planifikuar sulm në një qendër tregtare në pjesën perëndimore të Gjermanisë.
Policia tha se personat, 28 dhe 31-vjeçarë, janë arrestuar në qytetin Duisburg në rajonin industrial Rur, dje herët në mëngjes, raporton agjencia “AP” nga Berlini.
Autoritetet thonë se ata janë të dyshuar se ndoshta kanë planifikuar sulm në qendrën tregtare Centro në qytetin e afërt Oberhauzen.
Autoritetet po zhvillojnë hetime se sa larg ka shkuar plani i të dyshuarve dhe nëse eventualisht ka edhe të dyshuar të tjerë.
Policia thotë se mbrëmë e ka shtuar praninë në qendrën tregtare Centro dhe në tregun e Krishtlindjeve në afërsi, pasi ka marrë informacion nga agjencitë e inteligjencës.
Qendra tregtare Centro është njëra ndër më të mëdhatë në Gjermani, me afro 250 dyqane, që zakonisht janë të mbushura me njerëz para festës së Krishtlindjeve.
Këto arrestime janë bërë derisa policia në mënyrë intensive është në kërkim të të dyshuarit tunizian, i akuzuar për sulmin me kamion në masën e njerëzve në një treg të popullarizuar të Krishtlindjeve në Berlin, raporton agjencia tjetër e lajmeve, “AFP”.
Grupi ekstremist, Shteti islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, që është sulmi më vdekjeprurës deri tash i kryer në territorin e Gjermanisë.
Pjesëtarët e forcave speciale të Gjermanisë gjatë ditës së djeshme i kanë bastisur tri shtëpi dhe autobusët që qarkullojnë në distancë të gjata, kanë thënë prokurorët, derisa po kërkonin për tunizianin 24-vjeçar, Anis Amri.
Policia tha se është e sigurt se ishte Amri, ai që ka sulmuar me kamionin prej 40 tonelatash, pasi janë gjetur letrat e tij të identifikimit dhe gjurmët e gishtërinjve brenda kabinës së shoferit, afër trupit të pajetë të shoferit polak të regjistruar, i cili ishte vrarë me të shtënë në kokë.
Autoritetet kanë paraqitur fletarrest evropian lidhur për këtë të dyshuar për kryerjen e sulmit dhe kanë ofruar shpërblim prej 100 mijë eurosh për informacione që mund të çojnë në zënien e Amrit.
Në Tunizi, i vëllai i të dyshuarit në ikje, i ka bërë thirrje që të dorëzohet.
“Nëse ai më dëgjon mua i them – dorëzohu, në mënyrë që familja të mund të qetësohet”, u tha reporterëve, Abdelkader Amri dhe ka shtuar se “nëse vëllai im ka dorë në sulm, i them atij na ke çnderuar”, raporton “AFP”.
Zyrtarët kishin zbuluar se Amri ishte një azilkërkues i refuzuar me histori të krimit, që i kishte kaluar disa vite në një burg italian dhe për një kohë të gjatë ishte i njohur për agjencitë antiterror në Gjermani.

Exit mobile version