Kritika administratës Obama dhe demokratëve amerikanë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Partia Demokratike e Shteteve të Bashkuara, duhet të mësojë të pësojë disfatë në mënyrë të ndershme, duke e akuzuar atë se i fajëson të tjerët për disfatën e Hillary Clintonit në zgjedhjet presidenciale.
Më tutje, gjatë konferencës së djeshme vjetore me gazetarët në Moskë, zoti Putin tha se ai dëshiron marrëdhënie praktike dhe konstruktive si me administratën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, po ashtu edhe me demokratët e Shteteve të Bashkuara.
“Partia Demokratike i fajëson të tjerët për dështimet e veta”, tha Putin dhe ka shtuar se, “administrata aktuale e Shteteve të Bashkuara e ka ndarë vendin”.
Komuniteti i inteligjencës i Shteteve të Bashkuara në muajin tetor tha se ka konkluduar se hakerët rusë të drejtuar nga qeveria e Rusisë, kanë ndërhyrë në serverët dhe e-mail-et e Partisë Demokratike, ndërsa agjencia CIA kishte konkluduar se ndërhyrja ishte bërë me qëllim që të ndihmohet Donald Trumpi për të fituar kundër Hillary Clintonit.
Vladimir Putin ka vlerësuar se administrata e presidentit Barack Obama, e ka humbur kontaktin me amerikanët e zakonshëm dhe shumë shtetas të Shteteve të Bashkuara i ndajnë pikëpamjet e tij për kërcënimet me të cilat ballafaqohet bota.

Exit mobile version