Arrestohet baroni i drogës në Brazil

Policia braziliane thotë se ka arrestuar baronin famëkeq të drogës, Luiz Carlos da Rocha, i cili u ishte shmangur autoriteteve për tri dekada me radhë.
Zyrtarët thonë se Da Rocha kishte bërë kirurgji plastike për të mos u kapur.
Ata mendojnë se Da Rocha, që jetonte me emrin Vitor Luiz de Moraes, është kreu i një perandorie ndërkombëtare të kokainës.
Autoritetet thonë se kokaina e prodhuar nga Da Rocha në xhunglat e Bolivisë, Kolumbisë dhe Perusë, shpërndahej në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.
Zyrtarët thonë se Da Rocha ishte gjithashtu një nga furnizuesit kryesorë të kokainës për tregtarët e dhunshëm të drogës në Sao Paulo dhe Rio de Zhaneiro të Brazilit.
Policia konfiskoi 10 milionë dollarë prona të Da Rocha-s, duke përfshirë makina luksoze, avionë, ferma dhe pasuri të tjera të patundshme.
Policia megjithatë beson se pasuritë personale të Da Rocha-s kanë vlerë të paktën 100 milionë dollarë dhe do t’i kërkojnë ato në fazën e dytë të operacionit.

Exit mobile version