Fazë e re e dialogut Thaçi-Vuçiç, BE nis ndërmjetësimin

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mblodhi dje në Bruksel në një takim joformal presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se, “ata u pajtuan që të punojnë për fillimin e një periudhe të re të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe vendosën që ekipet e të dyja palëve të fillojnë përgatitjet. Ata nënvizuan rëndësinë e zbatimit pa vonesë të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se zonja Mogherini konfirmoi përkushtimin e BE-së për ardhmërinë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se periudha e re e bisedimeve do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve dhe të dy popujve.
“Kjo fazë e re e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin mes popujve tanë do të jetë në të mirë të të dy vendeve, në të mirë të popujve tanë, do të mbyllë kapitullin e errët të së kaluarës dhe do të hapë një perspektivë të sigurt për të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe rajonit. Ndërkohë grupet punuese apo profesionale do të punojnë për hedhjen e ideve preliminare në mënyrë që të jetë një përgatitje e mirë e fillimit të kësaj faze të re të dialogut. Unë shpresoj dhe besoj se normalizimi dhe pajtimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të arrihet. E ritheksoj edhe një herë është në interesin e Kosovës, Serbisë dhe gjithë rajonit dhe në këtë drejtim Kosova do të jetë shumë e përgjegjshme”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se bisedimet e djeshme ishin të frytshme dhe në to u shtrua thelbi i përmbajtjes së bisedimeve në të ardhmen.
“Nuk ka dyshim që bisedimet do të vazhdojnë në Bruksel, por jo vetëm për tema të caktuara, por do të bisedojmë për çështje thelbësore se si i shohim marrëdhëniet tona për një, dy apo pesë vjet. Kjo do të thotë se duhet të bisedojmë më seriozisht dhe më guximshëm të bisedojmë ne brenda opinionit serb dhe ata brenda opinionit shqiptar dhe që të gjithë bashkërisht të bisedojmë më shpesh”, tha ai duke vënë theksin tek fakti se siç tha, “çështje më të rëndësishme po përpiqemi t’i shtyjmë përpara, shumë më të rëndësishme sesa çështjet teknike”.
Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre kanë filluar në vitin 2011 dhe që atëherë janë nënshkruar një varg marrëveshjesh, por pjesa më e madhe e tyre ende mbeten të pazbatuara.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ishin pezulluar për një kohë të gjatë. Fillimisht për shkak të zgjedhjeve presidenciale serbe që u mbajtën më 2 prill e më pas edhe për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.
Dy takimet e fundit qenë mbajtur në janar dhe shkurt të këtij viti në një përpjekje të Bashkimit Evropian për të ulur tensionet ndërmjet të dyja palëve.
Takimi i djeshëm ndodh në një kohë kur është paralajmëruar se bisedimet do të zhvillohen në nivel presidentësh, gjë që ka nxitur reagime në Kosovë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje që bisedimet të udhëhiqen nga qeveria e ardhshme pasi që, sipas saj, edhe çështjet, të cilat trajtohen janë në përgjegjësitë kushtetuese të ministrive, përkatësisht qeverisë e jo presidentit.
Presidenti Thaçi bëri thirrje për unitet të institucioneve dhe partive politike në të gjitha çështjet e interesit shtetëror, përfshirë edhe bisedimet me Serbinë.
Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Exit mobile version