Arrestohet egjiptiani që mori peng anijen, nuk dihet fati i dy shqiptarëve

Arrestohet egjiptiani, Adel Muhamed Salam, peshkatari që rrëmbeu anijen “Çelepia 2” në Portin e Durrësit bashkë me dy peshkatarët shqiptarë. 30-vjeçari u arrestua në shtëpinë e tij në Aleksandri nga Marina ushtarake e Egjiptit për llogari të palës shqiptare.
Pas marrjes në pyetje Salam do të zbardhë çështjen e mbushur me mister të pengmarrjes së anijes dhe kërcënimeve deri me jetë të dy peshkatarëve Luan Mema dhe Dhimitër Malja, që egjiptiani i bënte në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave nga pronari i anijes “Çelepia 2”. Në orët e mëngjesit u konfirmua lokalizimi i anijes së peshkimit në një prej porteve të Aleksandrisë, bashkë me tre shtetas egjiptianë.
Adel Muhamed Salam, peshkatari 30-vjeçar njihet nga bashkëpatriotët e tij si person i dyshimtë me prirje kriminale. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Interpoli janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet egjiptiane për gjetjen e dy peshkatarëve shqiptarë, për të cilët nuk dihet ende asgjë.
Anija e peshkimit “Çelepia 2” u njoftua e zhdukur mesnatën e 21 qershorit nga pronari i saj, pas humbjes së kontaktit me tre peshkatarët që ndodheshin në bord.
Anija shqiptare “Çelepia 2” e marrë peng nga një marinar egjiptian është gjetur në Egjipt. Mësohet se ajo u gjet në brigjet e Aleksandrisë në Egjipt, por brenda saj nuk ishin marinarët shqiptarë, Luan Mema dhe Dhimitër Malaj.
Sipas njoftimeve që japin pronarët e anijes brenda bordit të saj janë gjetur 3 egjiptianë. Ata thonë se informacionin e kanë marrë në mënyrë private, ndërsa nuk dinë asgjë për fatin e marinarëve shqiptarë.

Exit mobile version