Përmbytjet në Novoselë, banorët ende pa dëmshpërblim

Pas 1 viti nga përmbytjet, banorët e Novoselës ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet. Emisioni investigativ “Stop” ka trajtuar mbrëmjen e djeshme problematikën e dëmshpërblimeve nga përmbytjet. Fshati i Vlorës ishte një ndër zonat më të prekura nga vërshimi i ujërave, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë. Gazetarja e “Stop” dëgjoi nga afër shqetësimet e banorëve, të cilët tregojnë se kanë marrë vetëm një pjesë fare të vogël nga dëmshpërblimet që i takonte.
Madje disa prej tyre thanë se nuk kanë ende marrë asgjë.“Kur do të jepen këto lekë, të përmbytjeve të bujqësisë edhe të shtëpive, sepse nuk po rri në shtëpi, por po rri tek shtëpia e babait”, shprehet një prej fermerëve.
Një tjetër banor thotë se shpenzoi më shumë para për të hapur llogarinë bankare, sesa ai mori si dëmshpërblim. Për t’u interesuar për arsyen se përse këta banorë nuk kanë marrë paratë që i takojnë, gazetarja e “Stop”, intervistoi drejtorin e Bujqësisë së Vlorës, Beqir Kashuri. Ai sqaroi se institucioni që drejton, ka bërë akt konstatimin dhe akt verifikimin dhe në bazë të procesverbaleve të mbajtura në atë kohë u vendos që banorët do të dëmshpërbleheshin edhe për të mbjellat.
Sipas tij, 671 fermerë të ish-Komunës Novoselë dhe të Bashkisë Selenicë u vlerësuan në bazë të akt konstatimit dhe verifikimit, mbi çmimet statistikore. “Këto lekë, në dijeninë time, do t’i paguajë dhe po i paguan çdo ditë dhe fermerët po i marrin në numrin e llogarisë, nga qeveria shqiptare dhe agjencia e ngarkuar. Ne nuk ndajmë përgjegjësi, por nëse ju keni ankesa të fermerëve, të cilët i keni prezantuar edhe tek ne, edhe në Prefekturë, që thonë se në numrin e tyre të llogarisë nuk ka arritur vlera e caktuar, nga gjithë informacioni që ne kemi është se ata do t’i marrin me këste”, tha Kashuri.
Ndërsa Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha deklaroi se është në dijeni të problematikës së banorëve të Novoselës. “Që në ditët e para, institucioni i Prefektit të Qarkut është bërë me dije edhe përmes insistimit të banorëve, që në numrat e llogarisë po kalonin për një pjesë të fermerëve, shumat e caktuara për këto lista që ne përcollëm në Ministrinë e Bujqësisë dhe për një pjesë tjetër, shuma të reduktuara, siç ishin edhe rastet që ju përmendët. Por, po kështu, ndoshta edhe ndonjë rast tjetër, gati 1 e 10-ta e shumës etj. Përgjigjja ishte që Drejtoria e Bujqësisë u ishte referuar çmimeve standarde të tregut, por për shkak të disa situatave të përmbytjeve, jo vetëm në Vlorë, por në Bashki si ajo e Fierit, Korçës, Shkodrës etj., u unifikua kjo lloj metodologjie, mbi bazën e disa kritereve të vendosura nga Ministria e Bujqësisë”, thotë ajo.
Pyetjes se përse unifikimi ka prekur vetëm një pjesë të banorëve dhe nëse Prefektura ka marrë informacion në Ministrinë e Bujqësisë, prefektja iu përgjigj: “Kërkesa jonë është që më së pari të na bëhen prezente se cila është metodologjia e unifikimit të çmimeve, që është diçka që nuk varet prej nesh. Kështu që, në momentin që ne do të kemi edhe arsyet apo mënyrën sesi është proceduar për ta unifikuar këtë praktikë përllogaritjeje, patjetër që do ta bëjmë publike. Momentalisht unë dua të nënvizoj faktin që, zë për zë dhe rast pas rasti, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me drejtoritë përkatëse në Ministrinë e Bujqësisë, që të marrim përgjigje për çdo shqetësim të ngritur nga fermerët e Novoselës”. E derisa Prefektura të mësojë se cila është metodologjia e unifikimit, banorët e Novoselës mbeten pa dëmshpërblim.

Exit mobile version