Arsenali e ka shtuar interesimin për lojtarin e Real Madridit të huazuar në Bayern Munich, James Rodriguezin. Tanimë mediat angleze raportojnë se drejtuesit e Arsenalit i kanë kontaktuar drejtuesit madrilenë për të arritur marrëveshje për huazimin e kolumbianit.
Ylli kolumbian është për momentin i huazuar në Bayern Munich dhe pritet të kthehet në Real Madrid në fund të këtij sezoni. “Los Blancos” dëshirojnë ta shesin përfundimisht Jamesin, dhe kjo gjë ka ngjallur interesim nga klube si Arsenali dhe Napoli, transmeton Gazeta Express.
Të gjitha do të preferonin që fillimisht ta merrnin James si huazim deri në fund të sezonit, para se të vendosnin për ta blerë atë. Me këtë gjë raportohet se pajtohen edhe drejtuesit e Bayernit, të cilët nuk janë të interesuar ta mbajnë më 27-vjeçarin në skuadër.
Në anën tjetër, James e dëshiron edhe një mundësi për ta dëshmuar veten në Santiago Bernabeu, mirëpo gjasat për këtë gjë janë të vogla pasi që Real Madridi dëshiron ta transferojë Eden Hazardin e Real Madridit ose Christian Eriksenin e Tottenhamit gjatë verës.
Burime të afërta me drejtuesit e Real Madridit kanë thënë për të përditshmen angleze, The Independent, se madrilenët do të preferonin ta shisnin James në Tottenham për të lehtësuar transferimin e Eriksenit në të ardhmen.
Arsenali ende nuk e ka bërë asnjë transferim gjatë këtij afati kalimtar të janarit dhe trajneri i skuadrës, Unai Emery, e ka pranuar më herët se ata nuk kanë buxhet mjaftueshëm të madh për të transferuar lojtarë tani.