Pogba kërkon pagë më të lartë nga Manchester United

Pas shumë spekulimeve për të ardhmen e tij në fillim të këtij sezoni, mesfushori francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba, është i gatshëm ta rinovojë kontratën e tij me “Djajtë e kuq” dhe klubi është i gatshëm t’ia plotësojë kërkesën për një pagë më të lartë.
Gjatë afatit kalimtar të verës ishte përfolur për një transferim të mundshëm të francezit në Barcelonë, pasi marrëdhëniet mes tij dhe trajnerit Jose Mourinho nuk ishin aspak të mira, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, tani që Mourinho është shkarkuar nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit dhe në vend të tij është emëruar Ole Gunnar Solskjaer, Pogba është i gatshëm ta rinovojë kontratën e tij me klubin anglez.
Sipas të përditshmes angleze, The Sun, Pogba dëshiron të ulet me drejtuesit e Manchester Unitedit dhe të arrijë marrëveshje për një kontratë të re me pagë më të lartë, përkundër që në kontratën e tij aktuale i ka edhe 2 vjet e gjysmë të mbetura.
25-vjeçari ka qenë në një formë mbresëlënëse që kur Solskjaer u emërua në pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq”, duke i shënuar pesë gola të cilat i ndihmuan Manchester Unitedit t’i fitojë shtatë ndeshje radhazi.
Ish-ylli i Juventusit është për momentin lojtari i dytë me pagën më të lartë në Old Trafford, pas Alexic Sanchezit, i cili besohet se i fiton 568 mijë euro në javë. Paga e Pogbës besohet të jetë 330 mijë euro në javë.

Exit mobile version