Nga Patrik Sadikaj
Në 30 vitet e demokracisë, veçanërisht në 10 vite e fundit, Shqipëria ka përjetuar eksodin më të madh, ku popullsia e re ka emigruar në masë. Universitetet boshatisur, shkollat gjithnjë e me më pak klasa, ndërsa institucionet shëndetësore kanë prekur fundit nga mungesa e investimeve dhe ikja e mjekëve. Arsimi e shëndetësia janë themeli i jetës së një vendi, dhe këto të dyja ne i jemi shkatërruar përditë, pak nga pak, për të prekur sot fundin.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është e drejtë: Pse ka ndodhur kjo dramë? Padyshim që përgjigja është në politikat e gabuara të qeverive. Asnjë investim, asnjë përkujdesje për arsimin e shëndetësinë. Dy sektorët më jetikë, janë lënë në vdekje klinike, pasi politika e qeverisë ka qenë e gabuar në rastin më të keq dhe e dështuar në rastin më të mirë. Në të dyja rastet ka pasur pasoja katastrofike për vendin.
Sa i përket shëndetësisë, nevoja për të treguar gjurmët nuk ka nevojë, sepse ujku është para syve të të gjithë shqiptarëve që përplasen përditë në dyert e spitaleve. Por, plaga që kullon gjak sot, e do të sjellë vdekjen e të ardhmes nesër, është arsimi, ku qeveritë njëra pas tjetrës, kanë ndihmuar në kolapsin e plotë të sistemit, duke hequr edhe ato pak tulla që kanë mbetur.
Në qasjen e saj, qeveria, ka orientuar vëmendjen vitet e fundit tek turizmi, duke miratuar ligje pafund për të lehtësuar biznesin e turizmit, pasi kjo është në dukje reklama më e shpejtë për qeverisjen e “mirë”. Politika pafund në ndihmë të turizmit, që padyshim janë pozitive për një vend turistik si Shqipëria. Por një politikë largpamëse, nuk ka pse të mendojë vetëm për të përfitimet e momentit që sjell bumi turistik, por duhet të mendojë për jetëgjatësinë e të mirës për vendin.
Fjala vjen, a mund të jetë turizmi jetëgjatë si industri pa arsimin?
Normalisht që jo. Përtej fasadës së numrave të turistëve me të cilët krenohet qeveria, turizmi shqiptar është vite dritë larg turizmit që duhet të jetë. Dhe për këtë ka pikërisht ndikim thelbësor arsimi sepse mungesa e njerëzve të kualifikuar, sjell një turizëm të pakualifikuar.
Atëherë qeveria, pse nuk mendon pak më thellë e të ndërtojë turizmin përmes arsimit meqë sot është problemi më i madh për shoqërinë.
Nga Shqipëria nuk ikën sot rinia se nuk ka turizëm të mirë, por sespe nuk ka arsim të mirë.
Emigrantët vijnë në Shqipëri për 10 ditë turizëm, por nuk kthehen të shkollojnë fëmijët këtu sepse nuk ka shkolla të mira. Nuk ka shërbime në shëndetësi dhe institucione sociale.
E pra, një qeveri e mirë, duhet të mendojë si të mbajë popullin këtu, jo të krenohet se ata vijnë për turizëm në vendin e tyre.
Po çfarë duhet bërë?
Është fare e thjeshtë: Politika afatgjata zhvillimi dhe lehtësim të atyre që duan të kontribuojnë në arsim apo dhe shëndetësisë.
E dini që për të hapur një shkollë jopublike në Shqipëri, shteti nuk krijon asnjë lehtësi. Pra jep ndihmë për biznesin e turizmit që gjeneron miliarda dhe asgjë për ata që ndërtojnë shkolla e kampuse për të ardhmen.
Një resort apo hotel me 5 yje, trajtohet me privilegje e mbështetet me fonde, ndërsa një shkollë, përkundrazi ngarkohet me barra të rënda fiskale, që në fund të ditës bien mbi qytetarët shqiptarë. Disa e paguajnë shtrenjtë shkollimin jashtë vendit, ndërsa ata që nuk kanë përfundojnë në shkollat .e tre turne të arsimit publik.
Nuk ka nevojë vërtet për shpikje, mjafton të shohësh si e kanë ndërtuar arsimin e suksesshëm SHBA dhe Angli, që janë elita e institucioneve të arsimit në botë.
Qeveritë ndër shekuj, kanë mbështetur investimet në arsim, duke i lehtësuar nga taksat e duke iu krijuar hapësirat e duhura që të zhvillohet si sektor privat e publik dhe rezultati është mbresëlënës sepse sot krejt bota do të shkollohet në këto dy sisteme.
Në Shqipëri, për të ndërtuar një kampus apo një institucion shkollor, shteti nuk jep asnjë dorë e madje asnjë lehtësi. Investitorët në arsim, duhet të blejnë toka miliona euro apo dollarë, ndërsa shteti ofron pronat e veta vetëm për bizneset fitimprurëse.
Në SHBA, qeveria i lut investuesit e arsimit për tu dhënë toka në përdorim për shkolla, sepse e di që në këto toka mbillet një e ardhme më e mirë. E njëjta ndodh dhe në Angli apo vende të tjera europiane, ku arsimi shikohet si një investim për të ardhmen, krejt ndryshe nga ne ku qeveria sheh se ku është fitimi më i shpejtë dhe pa të ardhme.
Ligjvënësit tanë, duhet të marrin iniciativa të tilla si në SHBA e Angli e të ndërtojë nisma ligjore që të sjellin zhvillim për arsimin, pasi fushat e tjera më pas do të kenë efekt zinxhir zhvillimi.
Nëse do të mendohet për arsimin, atëherë Shqipëria do bëhet më e mirë, do ketë turizëm më të mirë, infrastrukturë më të mirë, shëndetësi më të mirë, qëndra sociale e padyshim një Shqipëri shumë më të mirë, në të cilën do të ktheheshin rë rinjtë, ata që kanë ikur për një jetë më të mirë, mjekët, dhe nuk do të kishte më askush dëshirë që të largohet nga vendi vet.
Mjafton kaq pak, për të bërë shumë./ BalkanWeb.com