Llazot dhe Sakot përjashtohen nga tenderat publikë për mashtrim

Dy nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë në Shqipëri gjatë viteve të fundit janë skualifikuar për një periudhë gjashtë mujore nga marrja e kontratave shtetërore për shkak se kanë mashtruar. Bëhet fjalë për kompanitë 2T dhe Llazo.

Dorëheqja e kreut jetëgjatë të Gardës së Republikës, Gramoz Sako, në shkurt të këtij viti, duket se ka sjellë ditë të vështira edhe për kompaninë e vëllait të tij. Agjencia e Prokurimit Publik e ka përjashtuar për 6 muaj nga pjesëmarrja në tenderat publikë, shoqërinë e zotëruar nga Artan Sako dhe Dritan Troksi.

Sipas vendimit të marrë një javë më parë, APP ka vërtetuar se shoqëria ndërtuese ka paraqitur të dhëna të rreme, në bazë të të cilave është shpallur fitues në tenderat për ndërtimin e godinës së re të Universitetit “Aleksandër Mosiu” në Durrës, për rikonstruksionin e godinës së Hipotekës në Tiranë dhe për rehabiltimin e digës së rezervuarit të Pacomit në Përmet.

2T

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, shoqëria “2T” ka fshehur faktin se, në momentin e zhvillimit të këtyre procedurave tenderuese, ka pasur në fuqi masë administrative gjobë nga Inspektorati i Punës. Partia Demokratike ka akuzuar shpesh se kompania “2T” ka fituar miliona euro publike, për shkak se vëllai i njërit prej aksionerëve të saj ishte vëllai i komandantit të Gardës.

Kompania tjetër e skualifikuar, Llazo shpk është po ashtu një nga peshkaqenët e fondeve publike. Me seli në Bishqethëm të Lushnjes, kompania e zotëruar nga Aldi dhe Anea Llazi ka përfituar miliarda lekë nga institucionet shtetërore gjatë viteve të fundit. Sipas vendimit të APP-së, kjo kompani ka mashtruar të paktën në katër tendera duke mos deklaruar gjobën nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Exit mobile version