Arti dhe Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar: Udhëtimi i palodhur dhe ‘piktoresk’ i bashkëshortëve Kadillari

Albana Cenaj

Shoqata “Plein Air 9” mblodhi gjatë javës së fundit 12 artistë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ku në çdo telajo të pikturuar me talent, dashuri për artin dhe me përkushtim nga artistët, dukej sikur shkriheshin brenda një hapësire të mbyllur në një muze bukuritë e natyrës shqiptare.

Në këtë ekspozitë 1 javore, dy piktorët e njohur dhe bashkëshortë, Xheneta dhe Agim Kadilllari treguan përvojën e tyre të gjatë; atë të pikturës në natyrë për vite rradhazi. Sipas tyre, përballë me natyrën përjetohet emocioni, ndjehet lumturia e asaj çfarë do të pikturosh. Dashuria për artin bashkoi rrugët e tyre që pikturojnë për dekada e vite me rradhë. Kësaj rradhe “Plein Air 9” ishte ekspozita e 9, një ndër më interesantet që është zhvilluar në Shqipëri. Nuk mund të mungonte në ngjarje të tilla dhe Presidenti i Shqipërisë i cili, vëzhgoi dhe vlerësoi një nga një çdo pikturë.

Çdo vit çifti Kadillari zgjedh disa nga pikturat më të mira të vitit për t’i ekspozuar. Talenti dhe puna e tyre e palodhur gërshetohen në një në çdo pikturë të realizuar nga çifti Kadillari. Sipas tyre krijimtaria nuk ka një moment të caktuar. Arratisja nëpër shtigje të njohura dhe të panjohura dhe dëshira për të realizuar atë çfarë fal natyra shkrihen në punimet e tyre. Disa prej tyre, gjithmonë të realizuar në natyrë janë:

Laguna Lezhë

IMG 5929

Kalaja Rozafë

Vjeshta në Theth

Vjeshta në Drenovë


Dashuria e tyre për artin tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Falë punës së tyre artistike, ekspozitat e dy bashkëshortëve piktorë janë shfaqur kohët e fundit në Hollandë, Greqi, Janinë, Maqedoni dhe Itali ku edhe piktorët thonë se kanë marrë vlerësimet e duhura. Me keqardhje pranojnë se arti e veçanërisht piktura vlerësohet më tepër kur dalin jashtë Shqipërisë. Së fundmi, arti i tyre u vlerësua në Zvicër ku pikturat e dy piktorëve nga Shqipëria morën vlerën dhe çmimin e merituar.

Ajo çfarë dy artistët thonë është se, as ata dbe as artistët e tjerë të pikturës, nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur nga Ministria e Kulturës. “Edhe kjo ekspozitë është hapur me paratë tona, të piktorëve që marrin pjesë në këtë ekspozitë. Secili ka ardhur këtu duke nxjerrë paratë nga xhepi i tij” – thotë Zhaneta, e cila shton më tej se të gjithë duam të kuptojmë se një vend pa art a ka të ardhme.

Agim Kadilllari theksoi gjithashtu se pavarësisht vështirësive janë shtuar amatorët gjatë viteve të tranzicionit por megjithatë profesionistët krahasuar me vitet e tjera kanë ardhur në ngritje dhe se secili prej tyre ka zhanrin e tij të caktuar.

Exit mobile version