Artistët përgënjeshtrojnë Veliajn: Nuk ka marrëveshje, ishte një diskutim, nuk do të preket Teatri

Ditën e sotme kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nxorri me shpejtësi lajmin se kishte arritur një marrëveshje me artistët për Teatrin Kombëtar.
Alfred Trebicka dhe Altin Basha flasin në “Fax News” pas takimit me Veliaj, duke u shprehur se diskutimet kanë avancuar, po ende nuk ka një marrëveshje, ndryshe nga sa shprehet kryebashkiaku.
Trebicka dhe Basha shprehen se nuk ka asgjë të re në qëndrimin mes palëve, dhe se interesi i tyre kryesor është që territori i Teatrit Kombëtar të mos cënohet. Po ashtu ata thanë se i kanë kërkuar Veliajt që të ketë një konkurs ndërkombëtar për projektin e Teatrit të ri.
Trebicka: Kemi pasur një takim si gjithë takimet e tjera, diskutuam për negocimin mes palëve. Do vazhdojmë me diskutimet. Disktuam për hapjen e konkursit ndërkombëtar për Teatrin. Ishte një diskutim, nuk e di ku e shikoni marrëveshjen.
Altin Basha: Kemi kërkuar që territori Teatri Kombëtar të mos preket. Në teatër nuk do ketë zhvillime dhe ndërtime. Kemi shtuar në komisionin që do negociojë, dy përfaqësues të komunitetit. Hapa përpara drejt përfundimit të një marrëveshje. Nuk do të ketë kulla në territorin e teatrit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj publikoi i lumtur në Facebook arritjen e një marrëveshjeje me aktorët për të negociuar sëbashku për Teatrin e ri Kombëtar, por kanë reaguar menjëherë aktorët që ishin në takim me të.

Reagon Arben Derhemi pas takimit me kryebashkiakun
Pasi kryebashkiaku Erion Veliaj publikoi i lumtur në Facebook arritjen e një marrëveshjeje me aktorët për të negociuar sëbashku për Teatrin e ri Kombëtar, ka reaguar aktori Arben Derhemi që u prezantua në një foto me Veliajn. “Mos më bëni kaq të fuqishëm….” shkruan Derhemi ndër të tjera.
Derhemi: “Për të gjithë ata që më njohin dhe ata që s’më njohin ose nuk duan të më njohin. Për të gjithë ata që janë të interesuar për godinën e Teatrit dhe fatet e teatrit por edhe për ata që nuk ju intereson se as kanë qenë në Teatër dhe as ka për t’ju rënë rruga ndonjëherë këndej…
Për të gjithë ata që më njohin si Arben Derhemi dhe ata që nuk më njohin si aktor teatri…për ata që mendojnë se unë jam koka e protestës dhe për ata që mund të më paragjykojnë si një person me status që mund të firmos marrëveshje…
Ju lutem pak durim dhe urtësi, kuptoni që negocimi, takimet, bisedat apo ballafaqimet janë thjesht elemente të një dialogu shoqëror dhe institucional që të mbrohet teatri, kujtesa historike, qyteti dhe memoria institucionale…
Mos më bëni kaq të fuqishëm duke me veshur kompetenca dhe attribute apo sovranitete të deleguara për të firmosur marrëveshje…
Madje edhe në rolet skenike që kam lujatur nuk e kam pasur ndonjë personazh të tillë të përafërt që firmos marrëveshje…
Pak durim ju lutem dhe më shumë përgjegjësi qyetare dhe shoqërore…Asgjë nuk bëhet në një ditë përveç marrëzive…Ju faleminderit nëse së paku më lexoni dhe shumë faleminderit nëse edhe më kuptoni.
Arben Derhemi miqësisht…
27 qershor 2018.

Exit mobile version