7 vjet që nga prilli i vitit 2009 kur u anëtarësua me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO, Shqipëria mirëpriti për herë të parë Asamblenë parlamentare të NATO-s. Për 3 ditë me radhë pjesëmarrës nga 28 vende të Aleancës do të diskutojnë për sfidat kryesore me të cilat përballet NATO. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj Asambleje është se zhvillohet 6 javë përpara Samitit të Varshavës, në të cilin do të vendoset vazhdimësia sa i takon reagimit të NATO-s në raport me sfidat që vijnë nga Rusia, konflikti në Irak dhe Siri, kriza e emigrantëve, lufta kundër terrorizmit etj. Në ditën e parë të kësaj Asambleje një prej 5 Komiteteve ishte ai i politikës, ku u diskutuan pikërisht këto çështje të rëndësishme, si lufta kundër terrorizmit, kërcënimi i Rusisë në Lindje apo edhe kriza e emigrantëve. Presidenti i Asamblesë, Michael Turner pikërisht për angazhimin e saj e vlerësoi Shqipërinë si aset në betejat e përbashkëta të NATO-s. Shqipëria ka bërë një transformim të mrekullueshëm dhe ajo është një anëtare e besueshme dhe e angazhuar e saj, ishin fjalët vlerësuese të Presidentit Turner. Kriza e emigrantëve, ishte një tjetër çështje e rëndësishme që u theksua në punimet e kësaj Aleance, duke u theksuar roli pozitiv që luajtën vendet e Ballkanit, madje u theksua se në disa aspekte të veçanta këto vende luajtën më shumë rol sesa disa vende të caktuara të BE. Tema e terrorizmit u prek gjatë në këtë Asamble, ku problemi kryesor që u evidentua ishte ai i luftëtarëve të huaj. Këtu u theksua nevoja për më tepër informacion mes vendeve, por edhe kontroll më i madh sa i përket luftëtarëve të huaj që rikthehen në vendet e origjinës, ku rajoni i Ballkanit shihet si problematik ende. Një çështje e rëndësishme e diskutuar në Asamblenë parlamentare të NATO-s ishte edhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen për të arritur në nivelin 2 për qind të GDP-së. Në panelin mbi implementimin e buxhetit për sfidat e reja për mbrojtjen nga lufta, raportuesi francez, Jean-Marie Bockel kërkoi që “vendet europiane të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen”. “Ka rritje të pasigurisë së jashtme të shoqëruar kjo me pasiguri të brendshme të vendeve tona. Gjatë viteve 2013-2015 rusët kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen. Greqia dhe Turqia i kanë kushtuar proporcione të mira mbrojtjes, ndërkohë që vendet e tjera duhet të rrisin më tej shpenzimet. Vetëm bashkë mund të japim besueshmëri”, tha ai. “Nuk jam ekspert i çështjeve të Rusisë, por unë e di që duhet të jemi të fortë brenda NATO-s dhe nuk duhet të tregohemi agresivë. Duhet të bashkëpunojmë për çështje të ndryshme dhe nëse nuk kemi besim tek njëri-tjetri nuk do të ndërmarrim veprime”, deklaroi Bocket.