Përjashtimin e Berishës për 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi një ngjarje të rëndë. Sipas saj, ky vendim tregon krizën e thellë ku ndodhet sot mazhoranca. Gjithashtu Topalli foli dhe për Reformën në Drejtësi. “Pavarësisht se Asambleja mbahet këtu vendi ynë ndodhet në udhëkryq”. Gjatë pranisë në Asamblenë parlamentare të NATO-s, për mbledhjen e së cilës në Tiranë edhe pat lobuar si kryeparlamentare, Jozefina Topalli denoncoi si një ngjarje të rëndë pezullimin për dhjetë ditë të denoncuesit më të fortë të lidhjeve kriminale në Kuvend. Sipas zonjës Topalli urgjenca më themelore e vendit është zbatimi i ligjit për dekriminalizimin dhe për të theksuar se këtë legjislaturë Parlamenti pati përbërje alarmante, Topalli bëri një krahasim me 100 vite të shkuara. Topalli tha se opozita duhet të mbajë qëndrime të forta. Nga ana tjetër përgëzoi kolegët e saj në grupin parlamentar për punën e bërë për një Reformë në Drejtësi sipas standardeve të “Venecias”. Ja pse sipas saj duhet qëndruar fort tek kërkesa për një arkitekturë të thjeshtë të sistemit. Topalli mohoi që opozita të jetë përgjegjëse nëse Shqipërisë nuk i hapen negociatat për anëtarësim. Sipas saj asnjë prej çështjeve ku demokratët këmbëngulin nuk është pretekst, por përpjekje për ta sjellë draftin në atë çfarë Komisioni i Venecias kërkoi, duke zhbërë draftin e kapjes së sistemit nga qeveria, tha ajo.