Asfiksohen nga droga 4 nxënëse në shkollën 9-vjeçare në Fushë-Krujë

Katër nxënëse të klasës së tetë në shkollën 9-vjeçare të fshatit Bilaj në Fushë-Krujë janë asfiksuar nga tymi i hashashit që digjej brenda në klasë. Bëhet e ditur se vajzat e mitura janë transportuar menjëherë në spital, me të dridhura dhe vështirësi në frymëmarrje. Burimet nga spitali bënë të ditur se, vajzat u kanë rrëfyer mjekëve se kur janë futur në klasë pas pushimit të gjatë kanë vënë re se klasa ishte e mbushur me tym. “Nuk ka qenë tym duhani. Kur u futëm në klasë filluan të na merren mendtë dhe të vjellim”, kanë thënë nxënëset.
Sipas burimeve nga shkolla, në klasë është konsumuar hashash dhe më pas i është vënë flaka një sasie hashashi. Brenda në klasë, është shkaktuar dhe me problemet shëndetësore të vajzave të mitura. Bëhet e ditur se mjaft nxënës të kësaj shkolle punojnë për pastrimin e kanabisit dhe ndonjëri prej tyre e ka sjellë hashashin në shkollë. Shfrytëzimi i fëmijëve të mitur nga trafikantët për pastrimin e hashashit u denoncua pak ditë më parë edhe nga ish-Kryeministri Berisha, i cili publikoi edhe foto të fëmijëve duke pastruar drogën.
Ndërkohë, policia deklaroi dje se asfiksia e katër nxënëseve të klasës së tetë në shkollën 9-vjeçare të fshatit Bilaj në Fushë-Krujë ka ndodhur nga djegia e mbeturinave 20 metra larg shkollës. “Më datë 21.10.2016, njoftohemi që në shkollën 9-vjeçare, në Bilaj, 4 nxënëse të seksit femër, rreth 13-14 vjeçe në momentin që janë futur në klasë, pas mbarimit të pushimit të madh kanë pasur vështirësi në rrugët e frymëmarrjes. Menjëherë janë dërguar në Spitalin Rajonal, të cilat kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e efektivave të policisë janë pyetur drejtori dhe mësuesit, të cilët kanë pohuar se në oborrin e shkollës, rreth 20 m larg klasës janë djegur mbeturina dhe tymi i tyre është futur në klasë, pasi dritarja ka qenë e hapur”, thuhet në deklaratën e policisë. Por deklarata e policisë është rrëzuar nga mjeku i Urgjencës, i cili ka deklaruar se asfiksia e 4 nxënëseve të mitura është shkaktuar nga tymi i hashashit.
Ky është rasti i dytë që nxënëset asfiksohen nga tymi i hashashit në shkollë. Dy javë më parë në Urgjencën e QSUT-së u paraqitën disa nxënës të një shkolle në Kamëz, të cilët kishin të njëjtat simptoma me nxënëset e Fushë-Krujës. Gjashtë nxënës të shkollës “Jashar Hoxha” në Kamëz janë transportuar me urgjencë drejt Qendrës Spitalore Universitare (QSUT), pas problemeve shëndetësore. Simptomat e tyre kanë qenë të vjellat dhe marrje mendsh, ndërsa shkak ka qenë konsumimi i hashashit në klasë. Pas publikimit të kësaj ngjarjeje në media, ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit ka lexuar mesazhin e një prindi, që e ka fëmijën në këtë shkollë sipas të cilit nxënëset janë helmuar nga djegia e hashashit.
Mjeku i Urgjencës: Nxënëset u asfiksuan nga tymi i drogës
Mjeku i Urgjencës, Kastriot Mustafa deklaroi për “News24” se, në klasë mund të jetë djegur kanabis. Sipas mjekut, deklaratat e vajzave të bëjnë të mendosh se problemet e tyre janë shkaktuar nga tymi i drogës. Katër nxënëse të klasës së tetë në shkollën e fshatit Bilaj në Fushë-Krujë, kanë shfaqur probleme shëndetësore, gjatë pushimit të gjatë në klasë. Vajzat 13-14 vjeçe janë transportuar menjëherë në spital, me të dridhura dhe vështirësi në frymëmarrje. Ndërkohë dyshimet e mjekut nuk i ka pohuar a mohuar askush. Si ka përfunduar hashashi në një shkollë 9-vjeçare në fshat, dhe pse futet droga nëpër shkolla nuk jep përgjigje askush.

R.POLISI

Exit mobile version