Atentati në Ndroq/ Autori dhe viktima kanë njohje me njëri-tjetrin, vrasësi u fut në lokal dhe…

Gazetari Igli Çelmeta zbardh detaje të reja nga atentati që tronditi sot Tiranën. Sot rreth orës 15:50 u vra me armë zjarri 50-vjeçari Alfred Dedja.

 

Dedja u ekzekutua brenda në një lokal të Ndroqit, nga Julian Ndroqi, i cili është shpallur në kërkim. Mësohet se viktima dhe autori njiheshin me njëri-tjetrin.

“Viktima ka qenë në tavolinë në lokal dhe autori sapo është futur ne lokal, është ulur në tavolinë tjetër…Më pas, viktima i është afruar, aty kanë debatuar dhe Julian Gjoshi e ka qëlluar. Autori dhe viktima kanë njohje me njëri-tjetrin”, raporton gazetari.

Vrasja e 50-vjeçarit Alfred Dedja me armë zjarri në mes të ditës sot në një lokal në fshatin Ndroq në periferi të Tiranës ka tmerruar klientët që ndodheshin në lokal në momentin kur 50-vjeçari u ekzekutua me gjakftohtësi nga agresori.

Viktima jetonte në Itali dhe se njihej ndryshe me pseudonimin “Daku”. Krimi i rëndë ndodhi sot rreth orës 15:30 brenda në një lokal të Ndroqit, ku viktima ishte klient, ndërsa autori është futur në ambientet e lokalit, ka qëlluar me armë zjarri dhe është larguar.

Autori u afrua në këmbë për ta kryer krimin dhe më pas është larguar me një makinë tip Benz ML, të zi. Burime bëjnë me dije se autori është idenifikuar dhe mësohet se është Julian Gjoshi, nga Shijaku.

Ndërkohë që gazetarja Klodiana Lala raporton se autori i dyshuar i vrasjes, Julian Gjoshi, është një emër i njohur për policinë. Ai ka pasur probleme të mëparshme me ligjin, pasi është arrestuar më 18 janar 2021 për armëmbajtje pa leje dhe për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Gjoshi, gjatë arrestimit tre vite më parë, ishte shoqëruar nga një person tjetër në automjet.

Po ashtu, mësohet se Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, ky i fundit i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës, ngjarja e bujshme e ndodhur në një kompleks në Shijak. Altin Hajri, përmendet dhe në dosjen ndaj ish-deputetit të PS-së, Jugris Çyrbja, ku dyshohet se ka ndihmuar Çyrbjan të futej në listën e sigurt për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Në një nga bisedat e SkyECC, Altin Hajri mësohet se i ka kërkuar ish-deputeti Jurgis Çyrbja ndihmë për të lirimin apo ndryshimin e masës së sigurisë ndaj kunatit të tij, Julian Gjoshi ose mikut të këtij të fundit pas arrestimit për armëmbajtje pa leje në Tiranë, kundrejt ofrimit të shumave të parave.

Hajri i ka kërkuar ish-deputetit të ndryshohet personi që mbante armën pa leje, si dhe dëmtimin e gjilpërës së armës së zjarrit, përpara kryerjes së ekspertimit nga policia shkencore.

Kush është Altin Hajri

Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” në Shijak, akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të 2020. Trupi i Jan Prengës është filmuar për herë të fundit në garazhin e komplelsit “Golden”, ku është kapur nga kamerat e sigurisë teksa është nxjerrë nga automjeti Range Rover dhe më pas është transportuar në një furgon.

Altin Hajri, një nga anëtarët e grupit kriminal që vepronte në zonën e Shijakut po gjykohet ne mungesë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Gjithashtu ishte  shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Por autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve. Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro.

Në tetor 2015 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë.

Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Arrestimi i tyre u bë në bazë të një urdhri ndalimi të gjykatës së Venecias së datës 15 gusht të vitit 2015.

Ata akuzoheshin në atë kohë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa i kishin shpëtuar operacionit të policisë në vitin 2015, bashkë me Altin Hajrin.

Exit mobile version