Tek Atletico i Madridit vazhdon të ndjehet entuaziazmi i barazimit kundër Barcelonës në “Camp Nou”. Këtë fakt e pohoi dhe trajneri i “Los Colconeros”, Diego Simeone, i cili në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Deportivo La Corunas u shpreh se, skuadra e tij bëri një paraqitje dinjitoze përballë një kundërshtari si blaugranat. “Jemi të kënaqur me barazimin kundër Barcelonës. Ekipi bëri një paraqitje shumë të mirë. Është normale, që tifozët dëshironin që ne ta fitonim ndeshjen, por sidoqoftë unë besoj se ne arritëm një rezultat të kënaqshëm, që na motivion për ndeshjet pasardhëse”, u shpreh Simeone.
Më tej, tekniku 46-vjeçar foli për takimin e radhës atë kundër Dep.La Coruna. Argjentinasi vuri theksin se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë në “Vicente Calderon”, por beson se Atletico do të arrijë të rrëmbejë fitoren.
“Kampionatin nuk e nisëm në mënyrën më të mirë të mundshme, por gradualisht jemi duke rikuperuar. Na pret një ndeshje jo e lehtë, kundër Deportivo La Corunas. Sidoqoftë, unë besoj se në fund do të arrijmë të fitojmë. Në këtë ndeshje, na nevojitet dhe mbështetja e tifozëve dhe jam i bindur se nuk do të na mungojë”, tha trajneri i Atletiko Madridit.
Përsa i përket një rotacioni të mundshëm në formacion, Simeone deklaroi se ende nuk ka vendosur por, nuk e përjashtoi si mundësi, pasi disa nga lojtarët titullarë kanë nevojë për pushim.
Ndërkohë, Barcelona ka treguar se nuk e ndjen edhe aq shumë mungesën e Lionel Mesit, i cili u dëmtua në sfidën ndaj Atletiko Madrid në mesjavë dhe duhet të qëndrojë pushim për 20 ditë. Katalanasit kanë dhënë sot provat se me cilësinë që kanë në repartin e avancuar, të paktën në kampionat nuk e ndjejnë mungesën e tij.
Ndaj Sporting Gijon, çdo dyshim është shuar pas golave të Suarez dhe Rafinjas në pjesën e parë, ndërsa katalanasit kanë shpërdoruar një mori rastesh të tjera për të shënuar. Më pas, Barcelona shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë pas kartonit të kuq të Lora, kur regjistrohej minuta e 74. Katalanasit realizuan tre gola të tjerë në minutat e fundit, dy me Neimar dhe një tjetër me Turan, duke vulosur një fitore bindëse 5-0 në këtë duel.